Avokatët kundërshtojnë provat e Prokurorisë dhe kërkesën për dënim ndaj ish-krerëve të UÇK-së
Në Dhomat e Specializuara në Hagë po vijon faza e deklaratave përmbyllëse në procesin ndaj ish-drejtuesve të UÇK-së. Sot, ekipi mbrojtës i Kadri Veselit vazhdon paraqitjen e argumenteve përfundimtare para trupit gjykues.
Një ditë më parë, avokati Rodney Dixon kundërshtoi akuzat ndaj klientit të tij dhe deklaroi se Prokuroria nuk ka paraqitur prova që e lidhin Veselin me krime lufte. Ai argumentoi se gjatë periudhës kur pretendohet se janë kryer veprat penale, Veseli nuk ka qëndruar në Kosovë për një kohë të gjatë.
Dixon theksoi se emri i Veselit përmendet mbi 260 herë në dosjen përfundimtare të Zyrës së Prokurorit të Specializuar, por sipas tij, në asnjë rast nuk paraqitet provë për përfshirje konkrete në veprat e pretenduara.
Para nisjes së fjalës së mbrojtjes për Veselin, përfundoi paraqitja e ekipit mbrojtës të Hashim Thaçit. Avokati Lluka Mishetiq kërkoi lirimin e tij dhe kundërshtoi kërkesën e Prokurorisë për dënim me nga 45 vjet burgim për katër të akuzuarit.
Edhe avokati Pierre-Richard Prosper kundërshtoi qëndrimet e Prokurorisë, veçanërisht lidhur me vlerësimin e dëshmitarëve ndërkombëtarë të mbrojtjes. Ai argumentoi se dëshmitarët kishin njohuri mbi strukturën e UÇK-së.
Deklaratat përfundimtare nisën të hënën me paraqitjen e Prokurorisë dhe përbëjnë fazën e fundit të gjykimit, ku palët paraqesin qëndrimet e tyre përpara vendimit.
Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi përballen me akuza nga Zyra e Prokurorit të Specializuar, të cilat i kanë kundërshtuar. Gjykimi ka nisur më 3 prill 2023, rreth tre vjet pas konfirmimit të aktakuzës, ndërsa të akuzuarit mbahen në paraburgim në Hagë.
Lini një Përgjigje