Komuna pezullon lejen pas akuzave për pasaktësi në përmbajtje
Ekspozita “Masakrat në Kosovë 1998–1999”, me autor Shkëlzen Gashi, ka shkaktuar debate të shumta dhe reagime publike, duke çuar në largimin e tabelave nga sheshi i Prishtinës.
Vendimi për heqjen e tyre u mor një ditë pasi kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, pezulloi lejen e ekspozimit për shkak të pasaktësive të evidentuara në përmbajtje.
Rama publikoi pamje nga aksioni i ekipeve të kryeqytetit dhe kërkoi përgjegjësi institucionale për miratimin dhe financimin e ekspozitës. “Jo në Prishtinë... Kërkojmë përgjegjësi politike dhe institucionale nga Kuvendi i Kosovës për miratimin dhe financimin e një përmbajtjeje të tillë”, deklaroi ai.
Reagime pati edhe nga Ministria për Punë, Familje dhe Vlerat e Luftës Çlirimtare. Ministri Andin Hoti e cilësoi të papranueshme paraqitjen e pasaktë të krimeve të luftës, duke theksuar se në disa raste faktet janë shtrembëruar dhe rrezikojnë të relativizojnë krimet.
Ai përmendi konkretisht Masakrën e Krushës së Madhe, ku sipas tij është paraqitur gabimisht se gratë dhe fëmijët janë lejuar të largohen, ndërkohë që në këtë ngjarje janë vrarë edhe gra, përfshirë shtatzëna.
Nga ana tjetër, autori i ekspozitës, Shkëlzen Gashi, deklaroi se të dhënat bazohen në listën e Humanitarian Law Center, të udhëhequr nga Natasha Kandiq, duke theksuar se kjo është lista e vetme gjithëpërfshirëse në mungesë të një regjistri zyrtar në Kosovë.
Sipas tij, mospërputhjet në disa raste janë pjesë e kësaj baze të dhënash dhe nuk janë përcaktuar nga organizatorët.
Debati për ekspozitën ka nxjerrë në pah mungesën e një liste zyrtare të viktimave të luftës dhe ndjeshmërinë e trajtimit të këtyre ngjarjeve në hapësirën publike.
Lini një Përgjigje