Biznesmeni Behgjet Pacolli ka reaguar pasi emri i tij u përmend gjatë procesit gjyqësor ndaj tre personave të akuzuar për vrasjen e Liridona Ademajt.
Në sallën e gjyqit, një nga të akuzuarit, Granit Plava, deklaroi se Naim Murseli i kishte thënë se Pacolli ishte në dijeni të planit për vrasjen. Sipas kësaj dëshmie, ishte premtuar se përgjegjësia e plotë për aktin do të sillte një dënim të lehtë dhe dalje të shpejtë nga burgu, për shkak të ndikimit të pretenduar.
Pacolli i ka hedhur poshtë këto pretendime. Ai ka theksuar se nuk ka pasur asnjë dijeni për ngjarjen dhe nuk ka lidhje me të. Në reagimin e tij, ai shpjegon se ka zgjedhur të mos flasë më herët për arsye dinjiteti dhe jo nga frika.
Ai shton se nuk ka dashur të përfshihet në polemika apo të reagojë ndaj akuzave që, sipas tij, vijnë nga persona që nuk veprojnë me korrektësi.
“Njerëzit më të rrezikshëm nuk janë gjithmonë ata që bota i njeh si të këqij; shpesh janë ata që i ke ndihmuar më së shumti, e që, sapo ua ndal dorën, kthehen kundër teje me helm, përgojim dhe pabesi.
Ata harrojnë të mirat që kanë marrë, harrojnë dorën që i ka mbajtur dhe fjalën që i ka mbrojtur. Dhe kur nuk munden më ta mbajnë peshën e zgjedhjeve të veta, kërkojnë të shpëtojnë duke përmendur emra që nuk u përkasin më jetës së tyre. Kjo nuk është forcë. Kjo është varfëri karakteri.
Po e them qartë: jam distancuar prej kohësh nga çdo njeri dhe nga çdo rrugë që nuk më përfaqëson. Ndihma që i kam dhënë dikujt dikur ka qenë njerëzore, por zgjedhjet që ai ka bërë më pas i përkasin vetëm atij.
Askush nuk ka të drejtë ta përdorë emrin tim për alibi, për mbrojtje apo për larje imazhi. Emri im nuk është strehë për askënd që përpiqet të fshehë të vërtetën pas emrit të tjetrit.
Kam heshtur nga dinjiteti, jo nga frika. Por heshtja ime nuk është dobësi. Është refuzim për të rënë në nivelin e atyre që, pasi ushqehen nga mirësia, e kthejnë atë në helm.
Dhe në fund, njeriu nuk bëhet i lig nga mungesa e përkrahjes; ai thjesht tregon atë që ka qenë brenda tij gjatë gjithë kohës”, shkruan Pacolli.
Lini një Përgjigje