TAGS-AT E JAVËS

Kosova27 Mars 2026, 20:07

Kushtetuesja u dha 34 ditë afat për zgjedhjen e Presidentit, partitë në Kosovë e marrin me ‘terezi’!

Shkruar nga Pamfleti
Kushtetuesja u dha 34 ditë afat për zgjedhjen e Presidentit,
Kuvendi i Kosovës

Gjykata Kushtetuese ka përcaktuar një afat 34-ditor për funksionimin e Kuvendit dhe zgjedhjen e presidentit. Deri tani kanë kaluar disa ditë pa asnjë zhvillim konkret. Nëse presidenti nuk zgjidhet deri më 28 prill, legjislatura e dhjetë rrezikon shpërndarjen automatike.

Kjo situatë vjen pas rreth një viti e gjysmë bllokim institucional, gjatë të cilit Kuvendi nuk ka funksionuar plotësisht. Megjithatë, edhe pas aktgjykimit të Kushtetueses që e zhbllokoi situatën, deputetët nuk kanë ndërmarrë hapa për të rikthyer normalitetin.

Lëvizja Vetëvendosje, e cila më 6 mars akuzoi presidenten Vjosa Osmani se me dekretin për shpërndarjen e Kuvendit kishte lënë pa ratifikim marrëveshje ndërkombëtare mbi 100 milionë euro, nuk ka thirrur asnjë seancë për t’i trajtuar ato. Kjo ndodh edhe pse aktgjykimi i Kushtetueses e ka hapur rrugën për veprim.

Seanca e jashtëzakonshme që LVV kishte paralajmëruar në ditën e dekretit të presidentes nuk është zhvilluar. Partia nuk e ka trajtuar më si prioritet, pavarësisht se më herët e kishte përdorur si argument politik kundër Osmanit.

Sipas njoftimeve zyrtare, marrëveshjet ndërkombëtare dhe çështjet e tjera do të futen në rend dite në mbledhjen e Kryesisë së Kuvendit të hënën. Në të njëjtën mbledhje pritet të caktohet edhe seanca e radhës plenare.

Deri atëherë do të kenë kaluar gjashtë ditë nga nisja e afatit 34-ditor. Çdo vonesë shtesë e ngushton hapësirën për zgjedhjen e presidentit dhe e shton probabilitetin e shpërndarjes së Kuvendit.

Në këto kushte, presioni institucional bie mbi deputetët për të rifilluar menjëherë seancat dhe për të trajtuar çështjet e bllokuara, përfshirë zgjedhjen e presidentit dhe ratifikimin e marrëveshjeve ndërkombëtare.

Afati është i përcaktuar, pasojat janë të qarta. Vendimmarrja mungon.

kosova presidenti

Lini një Përgjigje