Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, zhvilloi një takim me presidentin e Francës, Emmanuel Macron, në Pallatin Elysee në Paris, ku në fokus ishte siguria e Kosovës dhe raportet me Serbinë në kuadër të dialogut në Bruksel.
Sipas njoftimit të Zyrës së Kryeministrit, në takim u diskutua për zbatimin e marrëveshjes për normalizim të plotë të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, si dhe për situatën e sigurisë në rajon. Të dy liderët theksuan rolin e vazhdueshëm të NATO-s në Kosovë, përkatësisht të misionit KFOR, si dhe kontributin e misioneve të Bashkimit Evropian. Diskutimet përfshinë edhe çështjet e sigurisë dhe integrimit në nivel evropian.
Në takim, Kurti deklaroi se Kosova mbetet plotësisht e harmonizuar me politikën e jashtme dhe të sigurisë së Bashkimit Evropian. Ai vuri në dukje progresin në reformat e brendshme, duke iu referuar raportit të fundit të BE-së, sipas të cilit Kosova ka shënuar përparim në 35 nga 38 fusha dhe renditet ndër vendet më të suksesshme në rajon. Kryeministri kërkoi mbështetjen e Francës për avancimin e procesit të integrimit evropian dhe për anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare.
Në aspektin e sigurisë, Kurti theksoi rëndësinë e mbrojtjes së kufijve, zhvillimin e kapaciteteve mbrojtëse vendore, si dhe bashkëpunimin me aleatët euroatlantikë. Ai trajtoi gjithashtu marrëdhëniet me Serbinë në kontekstin e dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja.
“Kryeministri Kurti theksoi se Kosova mbetet e harmonizuar plotësisht me politikën e jashtme dhe të sigurisë së BE-së. Ai nënvizoi progresin në reformat e gjithanshme, me progres në 35 nga 38 fusha, siç e konstatoi edhe vetë Raporti i fundit i BE-së për vendin tonë, duke e renditur Kosovën ndër vendet më të suksesshme në rajon. Këtu, Kryeministri Kurti kërkoi mbështetjen e Francës për integrimin evropian të Kosovës dhe për anëtarësimin në organizata ndërkombëtare”, thuhet në komunikatën e Zyrës së Kryeministrit. “Kryeministri Kurti foli për sigurinë e Kosovës që para së gjithash është siguri e kufijve të saj, pastaj për ngritjen e kapaciteteve vendore mbrojtëse që po bëhet, raportet me fqinjin verior Serbinë ndërlidhur me procesin e dialogut në Bruksel dhe zbatimin e marrëveshjes për normalizim të plotë, pastaj për bashkëveprimin me aleatët veri-atlantikë dhe për sigurinë rajonale në Ballkan. Takimi konfirmoi përkushtimin e ndërsjellë për thellimin e mëtejmë të partneritetit evropian e bilateral ndërmjet Kosovës dhe Francës”, thuhej në njoftimin e Zyrës së Kryeministrit
Ujku qimen e nderron, por zakonin se harron.