Njohësi i zhvillimeve politike në Ballkanin Perëndimor, Daniel Serwer, ka thënë se rizgjedhja e mundshme e Donald Trump si president i SHBA-së do të ishte fatkeqësi për Ballkanin.
Ai ka thënë ekziston mundësia që ish-presidenti Trump mund të zgjidhet sërish president.
“Është e qartë se në atë pikë etnonacionalistët do të mbretëronin në Shtetet e Bashkuara dhe pastaj jo vetëm në Ballkan, por edhe në Ukrainë e Lindje të Mesme do të kishin qëllim një politikë të ndarjeve të etniciteteve të ndryshme. Dhe kjo do t’i kërcënonte Bosnjën, Kosovën, Ukrainën, Izraelin e Palestinën. Do të ishte një formulë për të gjithë etnonacionalistët për ndarje. Dhe problemi tash është se etnonacionalistët nuk pajtohen se ku vija ndarëse do të tërhiqej.
Çfarë etnonacionalizmi sjell është lufta dhe në këtë rast, Ukraina, Lindja e Mesme dhe Ballkani nuk janë tri vende të ndara. Ato janë vazhdimësi e njëra-tjetrës. Të gjitha këto vende në një periudhë kanë qenë duke përfshirë madje edhe një pjesë të Ukrainës jugore si pjesë të Perandorisë Osmane. Dhe është tërësisht e pamundshme të shohësh një konfiguracion masiv në këto tri hapësira nëse Trump rizgjidhet president.”, ka thënë ai për KTV.
Ai ka deklaruar se këshilla e vetme dhe më e rëndësishme është që lidershipi në Kosovë t’i përmirësojë raportet me serbët e Kosovës, sepse sipas tij, kjo gjë do ta forconte shtetin e Kosovës.
Ka thënë se kjo gjë gjithashtu do të nënkuptonte zbatimin e verdiktit të Gjykatës Kushtetuese për tokat në Manastirin e Deçanit.
“Kjo nënkupton një afrim politik të Qeverisë me këdo që zgjidhet nga komuniteti serb në komunat veriore. Kjo nënkupton përmirësim të raporteve me komunat në jug të Ibrit, që dukshëm janë marrëdhënie më të mira sesa me komunat në veri. Pra, rrënja për konsolidimin e shtetit të Kosovës shkon përmes përmirësimit të marrëdhënieve me komunitetin serb, ashtu që serbët e Kosovës të paktën ta kenë të pranueshëm nëse jo të dëshirueshëm autoritetin e Prishtinës”, ka thënë ai.
Serwer: Çfarë do që Kosova vendos, SHBA-ja dhe BE-ja e kundërshtojnë
Eksperti amerikan gjithashtu ka komentuar edhe vendimin e Bankës Qendrore të Kosovës lidhur me heqjen e dinarit serb.
Ai ka thënë se i pëlqen qëndrimi i BQK-së kur thotë se është institucion i pavarur.
Sipas tij, çështja këtu është që Kosova e përdor euron si valutë të saj dhe dinari nuk po ndalohet. Ka shtuar se njerëzit prapë mund ta përdorin dinarin, por që transaksionet duhet të bëhen vetëm me monedhën euro.
“Dhe thënë të drejtën, unë e kuptoj një vendim të tillë. Euroja është një valutë më e qëndrueshme sesa dinari. Askush nuk humb para përveçse kur bëhet këmbimi i parave dhe sinqerisht përdorimi i dinarit në Kosovë është një shkelje e sovranitetit të Kosovës. Mund ta kuptoj se 15 vjet pas pavarësisë banka e sheh si kohë të përshtatshme për të zbatuar ligjin. Kjo nuk është një çështje e madhe, por një gjë e vogël, që ka një rëndësi simbolike për çështjen e sovranitetit”, ka thënë ai.
Më tej ai ka deklaruar se SHBA-ja dhe BE-ja siç duket nuk kanë kufizime se çfarë i kërkojnë Kosovës, dhe nuk kanë kufizime për qasjen e pabalancuar që kanë ndaj të dy shteteve.
Sipas tij, SHBA-së dhe BE-së u është bërë shprehi kjo gjë.
Ka shtuar se çdo gjë që Kosova vendos, SHBA-ja dhe BE-ja ose e kundërshtojnë, ose kërkojnë shtyrje të atij vendimi.
'Kjo qartazi është një politikë jobalancuese që nuk po funksionon dhe pjesërisht është shkaktari i ngërçit në dialog. SHBA-ja dhe BE-ja duhet të sprapsen dhe të lejojnë një shtet sovran që t’i zbatojë ligjet e saj.', theksoi eksperti.
Lini një Përgjigje