
Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeff Hovenier, një ditë para betimit të kryetarëve të rinj në veri të vendit, ka kërkuar që të shmangen konfliktet dhe veprimet që çojnë në rritjen e tensioneve në veri.
Në një deklarim për media pas takimit me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, ambasadori amerikan ka thënë se nuk është ide e mirë që të përdoret forca për tu futur në ndërtesa.
“Pata një takim me kryeministrin Kurti siç e kemi rregullisht, patëm një takim të gjatë duke diskutuar për një sërë çështjesh. Sot kaluam kohë duke diskutuar për procesin e dialogut dhe diskutuam për kryetarët e rinj të zgjedhur në veri”, është shprehur Hovenier.
“Unë i kam bërë disa komente dje. Ne folëm për të njëjtën gjë. SHBA-ja mendon që kjo gjë duhet të përfundojë, duhet të shmangen konfliktet dhe veprimet që çojnë në rritjen e tensioneve në veri. Ne nuk mendojmë që është ide e mirë që të përdoret forca për të arritur qasje në ndërtesat që mund të mos jenë të qasshme”, shtoi ai.
Mes tjerash ai ka përmendur edhe krijimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, duke theksuar se është e rëndësishme që Kosova t’i vë idetë e saj në tavolinë.
“Shtetet e Bashkuara janë të fokusuara të mbështesin Kosovën në shumë çështje si ato ekonomike, luftën kundër korrupsionit dhe padyshim të ndihmojmë Kosovën që të marrë vendin e saj në rrugën evropiane. Ia rikujtova atij një mesazh që e kemi dhënë tash e disa herë që duhet të ecet përpara me formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe si dhe implementimin e pikave tjera të marrëveshjes”, tha ambasadori.
Lini një Përgjigje