
Policia e Kosovës dhe Prokuroria Speciale kanë zhvilluar një aksion të gjerë ditën e sotme, duke bastisur banesat e disa zyrtarëve të Ndërmarrjes Publike Banesore. Ata dyshohet se kanë dhënë leje për ndërtimin e disa objekteve në kundërshtim me ligjin dhe për këtë arsye janë proceduar penalisht.
Prokuroria Speciale njofton se kontrolli është realizuar në pronat e të dyshuarave H.H, V.M, D.K, L.M, XH.L, A.J, G.SH, B.P, A.M, B.B dhe D.B. të cilët në cilësinë e personave zyrtarë, dyshohet se kanë kryer veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, “Lidhja e kontratës së dëmshme” dhe “Mashtrimi”.
“Gjithashtu, ekziston dyshimi i arsyeshëm se është keqpërdor detyra zyrtare, nga zyrtarët e përfshirë në këtë proces, nga faktet se si janë zhvilluar procedurat e përshpejtuara për ndërtimin e katër objekteve afariste dhe banesore, vlera e të cilave kalon njëqindenjëzet milion (120.000.000) euro”, thuhet në komunikatën për media.
Gjatë zbatimit të urdhër-kontrollit, janë sekuestruar prova materiale të cilat thuhet se do të jenë të rëndësishme për procedurë të mëtutjeshme hetimore.
Provat e sekuestruara janë 17 dosje dhe dokumente që ndërlidhen me rastin, gjashtë laptopë, dy shtëpiza, 11 telefona, dy sim card dhe gjashtë USB.
Lini një Përgjigje