
Marko Roshiç, një nga katër të dënuarit për vrasjen e politikanit serb, Oliver Ivanoviç, është arratisur.
Lajmi u konfirmua nga zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Veton Elshani.
Elshani tha se më 28 qershor policia mori vendimin e gjykatë për arrestimin e tij, por nuk po e gjen dot për ekzekutimin e urdhrit.
"Ditën kur është marrë vendimi ka qenë diku rreth orës 11:00. Neve na kanë sjellur vendimin për ekzekutimin e dënimit rreth orës 15:00. Po atë ditë [ditën kur është marrë vendimi nga gjykata], ne kemi shkuar për ta arrestuar por ai s’ka qenë në shtëpi dhe ne besojmë se ai nuk është në Kosovë”, tha Elshani
Po atë ditë, Gjykata Themelore në Prishtinë shpalli aktgjykimin për rastin e vrasjes së Ivanoviçit. Roshiç, Nedelko Spasojeviç, Dragisha Markoviç dhe Zharko Jovanoviç u dënuan në total me 22 vjet e gjashtë muaj burgim, ndërsa Sillvana Arsoviç u lirua nga akuzat.
Asnjë nga të akuzuarit nuk ishte i pranishëm në gjykatore kur u shpall aktgjykimi.
Roshiç, qytetar i Mitrovicës së Veriut, u dënua me dhjetë vjet burg për veprën penale të pjesëmarrjes në një grup të organizuar kriminal që organizoi një vrasje dhe me gjobë në vlerë 10.000 euro.
Ivanoviç u vra më 16 janar të vitit 2018, para objektit të partisë së tij në Mitrovicë të Veriut.
Lini një Përgjigje