Ish presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi para gjykatës së Hagës për aktakuzën e dytë tha se është i pafajshëm.
“Jam plotësisht i pafajshëm”, është deklaruar Thaçi për aktakuzën e dytë që i është ngritur nga Haga për ndërhyrje në drejtësi.
Edhe të gjithë të tjerët e akuzuar për këtë rast, Bashkim Smakaj, Fadil Fazliu, Isni Kilaj dhe Hajredin Kuçi, janë deklaruar të pafajshëm lidhur me akuzat që iu ngarkohen.
Më 29 nëntor 2024, Gjykatësja e Procedurës Paraprake e Dhomave të Specializuara të Kosovës konfirmoi aktakuzën kundër Hashim Thaçit, Bashkim Smakajt, Fadil Fazliut, Isni Kilajt dhe Hajredin Kuçit, dhe më pas lëshoi katër fletarrestime dhe një fletëthirrje.
Në fillim të fjalës përmbyllëse të Prokurorisë Kimberly West, kryeprokurore e Dhomave të Specializuara në Hagë, kërkoi nga 45 vjet burgim për ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi.
West tha se "këto krime janë krime lufte dhe krime kundër njerëzimit dhe janë të rënda si natyrë". Sipas saj, akuzat ndaj të akuzuarve "nuk e kanë humbur peshën, por vazhdojnë ende të jenë të rënda", edhe pse kanë kaluar më shumë se 25 vite.
Akuzat për ish-krerët e UÇK-së
Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarët Kadri Veseli dhe Jakup Krasniqi, dhe ish-deputeti Rexhep Selimi akuzohen për veprat penale që përbëjnë krime lufte: ndalim të paligjshëm ose arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme dhe krime kundër njerëzimit: burgosje, akte të tjera çnjerëzore, zhdukje me forcë të personave dhe përndjekje. Ata janë deklaruar të pafajshëm për akuzat. Krimet pretendohet se janë kryer midis muajit mars të vitit 1998 dhe shtatorit të vitit pasues në disa vende në Kosovë dhe në veri të Shqipërisë.
Aktakuza për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit ndaj katërshes së UÇK-së u konfirmua më 26 tetor të vitit 2020. Me t’u bërë publike, më 5 nëntor të po atij viti, të akuzuarit u dërguan në qendrën e paraburgimit në Hagë. Pas përmbylljes së deklaratave, çështja kalon te trupi gjykues. Gjykatësit kanë tre muaj kohë që të marrin një vendim për çështjen dhe ta shpallin atë.
Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar u themeluan në vitin 2015 nga Kuvendi i Kosovës, dhe janë pjesë e sistemit gjyqësor të Kosovës, por veprojnë me personel ndërkombëtar në Holandë.
Lini një Përgjigje