Ish-diplomati serb, Nebojsha Vujoviç deklaroi se presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, mund të jetë i gatshëm të njohë pavarësinë e Kosovës për të ruajtur pushtetin dhe për të shmangur sanksione të mundshme nga Shtetet e Bashkuara.
Duke komentuar vizitën e ministrit të Jashtëm serb, Marko Gjuriç, në Uashington, Vujoviç tha për agjencinë serbe të lajmeve Beta se Sekretari amerikan i Shtetit, Mark Rubio, i ka paraqitur Gjuriçit një marrëveshje të detyrueshme për njohjen e pavarësisë së Kosovës. Sipas tij, ky ka qenë qëllimi kryesor i ftesës së kreut të diplomacisë serbe në SHBA.
“Çdo ditë, hap pas hapi, Serbia po i afrohet formalizimit dhe njohjes zyrtare të Kosovës si shtet i pavarur”, citohet të ketë thënë Vujoviç nga Beta.
Ai shtoi se një marrëveshje e tillë do t’i sillte përfitime politike administratës amerikane, duke e paraqitur atë si një arritje të rëndësishme në politikën e jashtme. Sipas interpretimit të tij, një zhvillim i tillë do t’i shërbente edhe Vuçiçit për të zgjatur qëndrimin në pushtet dhe për të shmangur masa ndëshkuese të mundshme nga SHBA-ja lidhur me çështje të korrupsionit, procesit zgjedhor dhe sundimit të ligjit.
“Me nënshkrimin e një marrëveshjeje detyruese për njohjen e Kosovës, Trump do të arrinte një sukses të madh dhe njëkohësisht do t’i jepte një goditje Bashkimit Evropian dhe Rusisë. Nga ana tjetër, kjo do t’i konvenonte Vuçiçit, sepse do të fitonte kohë për të qëndruar në pushtet. Ai do të merrte pëlqim të heshtur për mbylljen e mediave të pavarura, ndërsa do të shtyhej vendosja e sanksioneve amerikane për korrupsion, manipulim zgjedhjesh dhe shkelje të sundimit të ligjit sipas Ligjit për Demokracinë në Ballkanin Perëndimor, të miratuar nga Kongresi amerikan”, theksoi ish-diplomati.
Vujoviç shtoi se vizita e Duriçit në Washington përfaqëson një “luftë të dëshpëruar të regjimit në Beograd për të shpëtuar veten”.
“Qëllimi i regjimit të Vuçiçit është të mbetet në pushtet deri në organizimin e EXPO-s dhe të përfitojë sërish nga keqpërdorimi i madh i fondeve. Për të qëndruar në pushtet, Vuçiç duhet të pranojë propozimin amerikan për njohjen e Kosovës së pavarur. Gjithçka që ka bërë deri më tani ka qenë çmontimi i Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit, ndërsa hapat e fundit për integrimin e arsimit dhe shëndetësisë serbe në sistemin e Kosovës tregojnë se ai tashmë e ka braktisur Kosovën. Ai mendon se çështja e Kosovës nuk është më prioritet për askënd në Serbi dhe se ka ardhur koha që ajo t’u dorëzohet përfundimisht amerikanëve për të ruajtur pushtetin”, deklaroi ish diplomati.
Nga ana tjetër, pas vizitës disaditore në Uashington, ministri i Jashtëm Marko Gjuriç deklaroi se Serbia ka shënuar përparim në marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara. Ai theksoi se takimet me zyrtarë të lartë amerikanë kanë kontribuar në një kuptim më të mirë të prioriteteve kombëtare të Serbisë.
Deklaratat e Vujoviçit përfaqësojnë qëndrime personale dhe nuk janë konfirmuar nga autoritetet zyrtare në Beograd apo Uashington.
Lini një Përgjigje