
Kuvendi i Kosovës do të mblidhet sërish sot në seancën e radhës konstituive që do të mbahet në orën 11:00.
Pas dështimit të seancës më datë 20 gusht, deputetët do të mblidhen në seancën e dytë pas publikimit të aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese, që i detyron ta zgjedhin kryeparlamentarin me votim të hapur e për 30 ditë.
Të mërkurën, Lëvizja Vetëvendosje e Albin Kurtit propozoi sërish për kryeparlamentare Albulena Haxhiun, por nuk i siguroi dot 61 votat e nevojshme. Madje, as propozimi i dytë, kandidatura e Donika Gërvallës nuk arriti konsensus.
Nga ana tjetër, Partia Demokratike e Kosovës ka bërë të qartë qëndrimin e saj se nuk voton asnjë kandidat për kryeparlamentar që ka qenë pjesë e kabinetit qeveritar të kryeministrit në detyrë, Albin Kurtit.
Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) u ka bërë thirrje deputetëve të Kuvendit të Kosovës që në emër të stabilitetit dhe legjitimitetit institucional të konstituojnë Kuvendin pa vonesë dhe t’i hapet rrugë formimit të Qeverisë.
“Konstituimi i Kuvendit është një parakusht thelbësor për funksionimin demokratik të institucioneve kushtetuese.
Pa Kuvend funksional, deputetët nuk mund të ushtrojnë detyrën e tyre si përfaqësues të qytetarëve. Pa Kuvend funksional, Kosova është duke u qeverisur nga një Qeveri në detyrë, ndaj të cilës Kuvendi nuk mund të ushtrojë kontroll mbikqyrës parlamentar”, thuhet në deklaratë.
Qëkur ka nisur seanca konstituive më 15 prill, deputetët kanë mbajtur 54 seanca deri më 26 korrik, por kanë dështuar ta përmbyllin atë me zgjedhjen e kryetarit dhe nënkryetarëve të Kuvendit.
Lini një Përgjigje