TAGS-AT E JAVËS

Politike 1 Qershor 2026, 10:43

Zvërneci/ Rama: Projektin e parë ua kemi kthyer mbrapsht, për Sazanin po negociojmë ende

Shkruar nga Pamfleti
Zvërneci/ Rama: Projektin e parë ua kemi kthyer mbrapsht, për
Kryeministri Edi Rama

Kryeministri Edi Rama zhvilloi një konferencë për mediat lidhur me projektin që parashikohet të realizohet në zonën e Zvërnecit, duke sqaruar se interesimi i investitorëve për këtë zhvillim daton që nga viti 2023 dhe ka ecur paralelisht me projektin për ishullin e Sazanit.

Gjatë fjalës së tij, Rama krahasoi debatin publik rreth projektit me ngjarjet e filmit “Wag the Dog”.

“Rekrutohet një producent i filmit dhe fabrikohet një luftë e trilluar e Amerikës me Shqipërinë, gjithçka përmes mediave, me teknika hollivudiane, me pamje të rreme mediash, si ajo fotografia me atë gardhin e mallkuar me tela me gjemba me atë foton si të jetë kufiri me Izraelin, këngë patriotike dhe heronj të sajuar.”, tha Rama.

Duke iu referuar projektit, kreu i qeverisë theksoi se interesi i investitorëve është shfaqur fillimisht për Sazanin dhe më pas për Zvërnecin.

“Projekti ka nisur si interesim nga investitorët në vitin 2023, bashkë me Sazanin.”

Rama u shpreh se qëndrimi i qeverisë për Sazanin ka qenë i pandryshuar dhe se toka publike nuk do të shitet.

“Qëndrimi ynë ka qenë se Sazani është tokë publike, ka qenë përpjekje edhe e qeverive të tjera për ta kthyer në destinacion turistik, mund të punojmë, por ajo tokë nuk shitet. I kemi bërë me dije se duam që shteti shqiptar të jetë ortak.”

Sipas tij, situata në Zvërnec është e ndryshme, pasi pjesa më e madhe e pronave janë në pronësi private.

“Për Zvërnecin duhet të shihni pronat dhe pronarët, nuk ka tokë shtet. Copëzat e shtetit janë totalisht të papërfillshme në atë pjesë aty.”

Kryeministri deklaroi se projekti ka tërhequr vëmendje ndërkombëtare për shkak të përfshirjes së Jared Kushner dhe shtoi se investitorët kanë angazhuar ekspertë të njohur ndërkombëtarë.

“Ju e dini mirë kush janë të interesuarit se e di gjithë bota. Bota mbarë flet për këtë projekt prej Jared Kushner, që e ka promovuar këtë projekt. Ka pasur interesim të mediave, por me axhendë.”

Ai tha gjithashtu se qeveria ka kërkuar standarde më të larta për zhvillimin e projektit dhe ka refuzuar variantet e mëparshme që nuk i përmbushnin ato.

“Kam parë imazhe të pallateve dhe projektit. Projekti i vjetër është rrëzuar nga ne, kemi standarde të larta dhe i duam ato. Donim më shumë për ju, jo për vete.

Në fund, Rama sqaroi se shteti nuk ka marrë pjesë në negociatat mes investitorëve dhe pronarëve privatë, ndërsa për Sazanin diskutimet vazhdojnë.

“Toka është regjistruar në hipotekë prej shumë e shumë vitesh dhe negociatat e transaksionet me pronarët është çështje ku ne nuk kemi hyrë. Jemi përqendruar te Sazani, për të cilin nuk kemi përfunduar negociatat, sepse kërkojmë copën e shtetit shqiptar.”

Lidhur me rrethimin e zonës, kryeministri tha se ai është kryer në përputhje me lejen e zhvillimit dhe se përbën një të drejtë të pronarit.

“Rrethimi është bërë sipas lejes së zhvillimit. Rrethimi i pronës është e drejtë e çdo pronari kur merr këtë leje”, tha Rama.

 

sazanin po negociojmë ende zvërncei pronë private

Lini një Përgjigje