
Partia Socialiste i është drejtuar me një deklaratë zyrtare qytetarëve kur kanë mbetur më pak se 4 orë nga mbyllja e procesit të votimit.
Silda Çepe, zëdhënëse e fushatës së PS-së, ka kërkuar nga qytetarët që ende nuk kanë ushtruar të drejtën e votës të dalin dhe të votojnë. Madje ajo ka kërkuar që qytetarët të flasin përmes votës.
“Të dashur qytetarë,
Sot është një ditë shumë e rëndësishme për të gjithë ne, për vendin tonë.
Sot të gjithë ne kemi një mundësi që vjen vetëm një herë në katër vjet, për të vendosur për të ardhmen e Shqipërisë të familjeve tona, për të ardhmen e fëmijëve tanë.
Vota juaj në këto zgjedhje është më e rëndësishme se kurrë. Përmes saj ju do të vendosni se në ç’drejtim do të ecë Shqipëria jonë.
Prandaj, ju bëjmë thirrje të gjithë qytetarëve shqiptarë: shkoni të votoni. Vendosni ju vetë për Shqipërinë që dëshironi për veten, për familjet dhe për fëmijët.
Mos e lini këtë moment historik të kalojë pa zërin tuaj.
11 maji është dita juaj. Shqipëria ka nevojë për vendimin tuaj”, thuhet në deklaratë.
Lini një Përgjigje