
Deputetja e Partisë Demokratike, Ina Zhupa, ka denoncuar presionet që po ushtrohen ndaj administratës publike për mbledhjen e të dhënave nga familjarët në diasporë.
Zhupa deklaroi se qytetarë nga qarku i Vlorës dhe institucione të ndryshme lokale kanë raportuar detyrimin për të plotësuar formularë të posaçëm.
Deputetja e PD tha se punonjësve të administratës u kërkohet të dorëzojnë të dhënat e dhjetë personave, përfshirë edhe të afërmit më të largët jashtë vendit, ndërsa kërcënohen se do të humbasin vendin e punës në rast se nuk pranojnë.
Zhupa akuzoi qeverinë për shkelje flagrante të nenit 35 të Kushtetutës dhe ligjit për mbrojtjen e të dhënave personale, duke e cilësuar këtë praktikë si terror ndaj administratës. Ajo theksoi se këto veprime përfaqësojnë një përpjekje për të shkrirë partinë me shtetin, duke vendosur strukturat administrative në funksion të Partisë Socialiste.
Sipas deputetes, kjo situatë përbën një manipulim të hapur elektoral që nuk duhet të tolerohet, pavarësisht nëse ndodhemi zyrtarisht në periudhë fushate apo jo.
“Unë reagova pasi gjatë gjithë javës së kaluar, madje edhe në fundjavë, më kanë ardhur informacione nga shumë qytetarë të qarkut tim, të qarkut të Vlorës, nga Bashkia Sarandë dhe nga institucionet në varësi që lidhen me OSHE-në, si dhe nga institucione të tjera të qarkut apo lokale, pra të bashkive, se ky formular që unë publikova sot jepet me detyrim nga drejtorët tek punonjësit e administratës. Punonjësve u vendoset një numër prej 10 personash, për të cilët ata duhet të dorëzojnë të dhënat e familjarëve që kanë në diasporë.
Presioni ka arritur deri aty sa edhe në rastet kur një punonjës nuk ka të afërm jashtë, ose të vetmit që ka janë kushërinj të rangut të dytë apo të tretë, ata përsëri detyrohen: “Gjeji ku të duash, se ndryshe nuk do të mbash vendin e punës”.
Unë e kam bërë këtë status dhe këtë reagim në vazhdën e të gjitha denoncimeve që po bën Partia Demokratike për të treguar se këta njerëz janë në shkelje flagrante të nenit 35 të Kushtetutës dhe të ligjit për të dhënat personale. Ata përpiqen të fshihen pas idesë se nuk jemi në një periudhë zyrtare të fushatës, dhe për këtë arsye nuk konsiderohet përdorimi i administratës si fushatë zgjedhore. Por kjo nuk është e vërtetë, sepse këta janë duke shkelur ligjin gjithsesi, pavarësisht nëse jemi apo nuk jemi zyrtarisht në fushatë zgjedhore.
Nuk ka asgjë të keqe që partitë politike të bëjnë një analizë të votuesve të tyre, të mbajnë një regjistër për ata që kanë në diasporë, apo t’i motivojnë në mënyrë vullnetare që të votojnë.
Por problemi në këtë rast, dhe në këtë denoncim që unë kam bërë, si dhe në ato që Partia Demokratike po bën ditë pas dite me emra konkretë drejtorësh dhe përgjegjësish, është fakti se nuk bëhet fjalë për shpërndarje komunare brenda seksioneve apo grupseksioneve të Partisë Socialiste, siç i quajnë ata. Këtu bëhet fjalë për një detyrim ndaj punonjësve të administratës publike, të administratës qendrore dhe lokale, që kushtëzohet me vendin e tyre të punës. Drejtori apo përgjegjësi i sektorit, në varësi të strukturës së institucionit, ia jep punonjësit këtë formular me detyrimin që, nëse nuk e kthen me të dhënat për të cilat duhet të mbajë përgjegjësi që të votojnë për Partinë Socialiste, do të marrë masë dhe më pas do të shkarkohet nga puna. Ky është një presion i hapur ndaj administratës dhe një shkrirje e partisë me shtetin.
Pra, sot kemi një parti-shtet. Ato punë që Partia Socialiste duhet t’i bënte me strukturat e veta, me organizatat e saj, ajo po i bën me drejtorinë e shtetit shqiptar. Për faktin se drejtorët janë në shumicën e tyre patronazhistë dhe njerëz të Partisë Socialiste, kjo i vë ata në funksion të votës së diasporës”, tha Zhupa për “Syri Tv”.
Lini një Përgjigje