Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, gjatë mbledhjes së Komisionit të Ekonomisë dhe Financave, ngriti shqetësime të forta mbi projektligjin e propozuar nga mazhoranca për faljen e gjobave, duke vënë theksin tek mungesa e analizës dhe trajtimi i pabarabartë i qytetarëve.
Tabaku vlerësoi çdo nismë ligjore që i shërben interesit publik, por kritikoi qasjen selektive të mazhorancës në përfshirjen e propozimeve.
”Më vjen mirë që propozimi i z. Braçe erdhi aq shpejt në axhendë, ndërkohë që opozita ka vite që propozon ligje dhe ato nuk diskutohen. Kam bërë një propozim ligjor që në fillim të tetorit dhe ende po pres që të duket në ndonjë axhendë. Shpresoj të kemi fatin tuaj, z. Braçe!”, tha ajo.
Tabaku ngriti shqetësime mbi mungesën e një analize të detajuar për gjobat që synohen të falen, duke theksuar se qeveria nuk ka ofruar të dhëna të qarta mbi ndikimin ekonomik.
”A ka bërë qeveria shqiptare një analizë të plotë për gjobat e vendosura, për sa janë paguar dhe sa jo, si dhe ndikimin në buxhet? Si do të trajtohen ata qytetarë që i kanë paguar gjobat ndërkohë që të tjerët përfitojnë nga falja? Kjo është një çështje e rëndësishme për barazinë para ligjit”, u shpreh deputetja.
Lini një Përgjigje