TAGS-AT E JAVËS

Politike17 Dhjetor 2024, 15:50

Begaj përshëndet hapjen e grup-kapitullit të gjashtë: Vendimi i sotëm, dëshmon ecurinë e sigurt të Shqipërisë drejt BE

Shkruar nga Pamfleti

Begaj përshëndet hapjen e grup-kapitullit të gjashtë:

Shqipëria çeli zyrtarisht grup-kapitullin e gjashtë të negociatave me Bashkimin Evropian, ku kapitujt kryesorë janë ato 30 dhe 31, për marrëdhëniet e jashtme dhe politikat e jashtme, siguria dhe mbrojtja.

Presidenti Bajram Begaj ka reaguar për hapjen e grup-kapitullit të gjashtë të negociatave për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian. Ky vendim u mor sot në Konferencën e Tretë Ndërqeveritare Shqipëri-BE, të mbajtur në Bruksel.

Bajram Begaj ka përshëndetur hapjen e negociatave ndërsa shprehet se vendimi i sotëm tregon ecurinë e sigurt të Shqipërisë dhe anëtarësimin e afërt në BE.

“Përshëndesim hapjen e negociatave për grup-kapitullin e gjashtë. Vendimi i sotëm dëshmon për ecurinë e sigurt të Shqipërisë drejt anëtarësimit në një të ardhme të afërt në BE”, shkruan Begaj në Facebook.

Gjatë një konference për shtyp nga Brukseli, kryeministri Rama tha se hapja e grup-kapitullit të gjashtë është lajm i mirë dhe se “ne duam të martohemi me BE e të harrojmë të gjitha divorcet e së kaluarës”.

Ai u shpreh se nuk ka asnjë kapitull apo paragraf të lehtë me BE, ndërsa theksoi edhe njëherë synimin për të hapur të gjithë grup-kapitujt brenda vitit 2025.

“Nuk ka kapitull apo ndonjë paragraf që është i lehtë me BE, çdo gjë duhet të kalojë në një shqyrtim të hollësishëm, me një bashkëpunim të ngushtë dhe nëpërmjet dialogut të përbashkët dhe mirëkuptimit, ne presim siç e kam thënë që ti hapim grupkapitujt, por në të njëjtën kohë s’po gënjejmë veten se kjo ka për të qenë punë e vështirë dhe ne duhet të përmirësojmë çdo hap. Jo vetëm të këmbëngulim në atë që themi, por edhe të përmirësojmë atë që bëjmë. E vlerësoj shumë këtë proces, se sikundër komisonerja e tha shumë mirë, ndihmon vendin të rritet, të piqet të transformohet dhe të bëhet një shtet ku institucionet janë shumë më të rëndësishme se çdo tjetër. Kur i gjithë sistemi punon si një garantues për demokracinë dhe sundimin e ligjit, çdo gjë tjetër funksionon.

Për këtë grukapitull nuk është fort i vështirë, se Shqipëria ka qenë gjithmonë në harmoni me politikat e BE sa i përket diplomacisë, sigurisë. Edhe vetë shqiptarët janë mbështetës për këto lloj politikash. E kemi bërë të qartë, ne duam të martohemi me BE, të harrojmë të gjitha divorcet e së kaluarës. Nuk ka kthim pas, ka vetëm rrugë para dhe ne duhet t’i japim shqiptarëve atë çfarë po presim që nuk besoj të jetë diçka që po presim me dekada, por me shekuj. Po sjell një fjali të poetit kombëtar, që ka shkruajtur që për shqiptarët dielli lind aty ku perëndon, në perëndim”, tha Rama.

Ambasadori i delegacionit të BE-së në Shqipëri, Silvio Gonzato, ka përshëndetur gjithashtu hapjen e negociatave për grup kapitullin e gjashtë për marrëdhëniet dhe politikën e jashtme. Ai u shpreh se kjo shënon një hap të rëndësishëm në rrugën e Shqipërisë drejt anëtarësimit në BE. 

“Një tjetër arritje e rëndësishme! Urime Shqipërisë për hapjen e negociatave për Grup-Kapitullin 6-kapitujt për marrëdhëniet e jashtme dhe politikën e jashtme! Inkurajojmë Shqipërinë të ruajë angazhimin dhe vendosmërinë e saj në avancimin e reformave të nevojshme në rrugëtimin e saj drejt anëtarësimit në BE. Ne do të vazhdojmë të qëndrojmë pranë Shqipërisë në këtë rrugëtim sfidues”, tha Gonzato.

Në total, Shqipëria ka hapur 7 nga 33 kapitujt, pasi më 15 tetor të këtij viti, çeli negociatat për 5 kapitujt që trajtojnë çështje themelore si Gjyqësori, të Drejtat Themelore, Drejtësia, Prokurimet, Statistikat, Siguria dhe Kontrollin Financiar.

Lini një Përgjigje