
Komisioni i Posaçëm Parlamentar për Mirëqeverisjen, Antikorrupsionin dhe Sundimin e Ligjit, i njohur si komisioni "Xhafaj" ka vijuar me mbledhjet, pavarësisht bojkotit të opozitës.
Komisioni miratoi sot listën e ekspertëve dhe duke qenë se pati shumë debate mbi pagat e tyre. Nuk mungoi as reagimi i Fatmir Xhafajt, pasi sipas tij ata do paguhen brenda normave ligjore.
“Fondi i përllogaritur në total për vitin 2024 është rreth 35 mln lekë, që është brenda fondeve të miratuara nga Kuvendi. Pagesa maksimale për një ekspert nuk e kalon vlerën bruto 550 mijë lekë dhe këta janë vetëm 30% e numrit të ekspertëve, të cilët janë kategorizuar në 3 kategori në varësi të kohës dhe produkteve që kanë dhënë”, sqaroi Xhafaj.
Më pas deputetja Milva Ekonomi, anëtare e Komisionit të Posaçëm, bëri një prezantim të metodologjisë së procesit për përgatitjen e Planit Kombëtar të Veprimit dhe qasjes ndaj këtij dokumenti.
Ekonomi informoi se për draftimin e formatit të Planit Kombëtar të Veprimit është marrë ekspertiza ndërkombëtare, një ekspert me përvojë, ofruar nga Ambasada zviceriane, si dhe ekspertizë vendase nga GENL dhe bazohet në faktin që Kuvendi dhe Komisioni i Posaçëm duhet të ketë detyrë koordinuese, monitoruese e mbikqyrëse dhe të jetë e vëmendshme mbi zbatimin e angazhimeve dhe masave për tu përmbushur nga vet Kuvendi dhe institucionet e pavarura, të ndjek strategjinë për monitorimin e masave të marra nga qeveria, etj.
Ekonomi sqaroi se baza e punës së ekspertëve kanë qenë raportet “screening” dhe Udhërrëfyesit e hartuar nga ekzekutivi për këtë proces. Formati u miratua parimisht dhe formati i Planit Kombëtar të Veprimit do të konsultohet me partnerët ndërkombëtarë dhe Kryenegociatoren.
Lini një Përgjigje