Ambasada e SHBA ka reaguar për zgjedhjen e kryetares së re të Këshillit të Lartë të Prokurorisë.
'Ambasada e SHBA po ndjek nga afër procesin e sotëm të nënkomisionit parlamentar për përzgjedhjen e anëtarëve nga radhët e avokatëve në Këshillin e Lartë të Prokurorisë dhe Këshillin e Lartë Gjyqësor. Shtetet e Bashkuara presin që ky proces të rezultojë në përzgjedhjen e kandidatëve më të kualifikuar me nivelet më të larta të profesionalizmit, integritetit dhe pavarësisë – gjë që mund të sigurohet vetëm nga përzgjedhja reale e kandidatëve nga nënkomisioni në vend që t'i drejtohet rastësisë përmes një shorti. Shtetet e Bashkuara mbeten të përkushtuara për të mbështetur Shqipërinë teksa ajo lufton korrupsionin, forcon institucionet e saj të drejtësisë dhe garanton shtetin e së drejtës.', shkruan ambasada e SHBA në njoftimin e saj.
Mirela Bogdani u zgjedh kryetare e re KLP-së, pas përfundimit të mandatit të Alfred Ballës. Kandidatja e vetme në garë për kreun e këtij institucioni, Mirela Bogdani prezantoi sot programin e saj, në të cilin theksoi do të bashkëpunojë me ndërkombëtarët dhe do të bashkërendojë me institucionet e tjera me drejtësinë.
“Për mua është tepër e rëndësishme puna me partnerët ndërkombëtarë, që kanë insistuar punën e Këshillit të Lartë të Prokurorisë dhe kanë vijuar mbështetjen. Do të vijoj punën me të gjitha institucionet e tjera të drejtësisë. Do të punoj për rregullimin e infrastrukturës të zyrave të KLP. Një fokus tjetër do të jetë bashkëpunimi me KLGJ, bashkëpunimi me Inspektorin e Lartë të Drejtësisë dhe me shkollën e magjistraturës”., tha ajo.
Bogdani theksoi gjithashtu se synon të reformojë sistemin gjyqësor në bazë të meritokracisë dhe standardeve ndërkombëtare.
Lini një Përgjigje