Berisha kërkon nga Britania që t’i heqë damkën e “non gratës”...
Zbardhen detaje nga gjyqi që ka nisur në Londër për “non gratën” e Sali Berishës. “Pamfleti” ishte i pari që raportoi se Berisha kishte pajtuar një studio ligjore në Londër për të bërë ankim lidhur me vendimin e dy viteve më parë. Ndryshe nga SHBA që nuk të jep mundësi ankimimi, Britania të jep të drejtën e ankesës. Sot ishte dita e parë e procesit, i cili u mbajt me dyer të mbyllura.
Sipas informacioneve, avokatët e Berishës kanë vijuar me teorinë se pas “non gratës” fshihet Rama me Soros, teksa në valle kanë futur edhe Lulzim Bashën dhe ambasadorët britanikë.
“Çështja përmend individë të tjerë të profilit të lartë, si Sekretari i Shtetit i SHBA-së, Antony J Blinken, ambasadori aktual dhe ish-ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në Shqipëri dhe figura të tjera politike shqiptare, si ish-kryetari i Partisë Demokratike Shqiptare, Lulzim Basha.
Ekipi ligjor i Dr. Berishës do të ngrejë argumente duke përfshirë rastet kur Sekretari i Brendshëm ka (i) bërë një gabim ligjor, pasi akuzat serioze të bëra kundër Dr. Berishës janë padyshim të pavërteta, (ii) ka bërë një dallim arbitrar midis Dr. Berishës dhe atyre që janë në pozitë analoge (përfshirë Edi Ramën, ndaj të cilit ka edhe akuza të rënda për korrupsion dhe kriminalitet), (iii) nuk mori parasysh faktin që Dr. Berisha nuk ka qenë në pushtet prej 10 vitesh, duke anashkaluar personat që janë aktualisht në pushtet dhe (iv) Imunitetin Diplomatik”, njoftoi studioja ligjore “Zaiwalla & Co”.
Duke komentuar rastin, avokati i tij, Kartik Mittal, tha: “Ky është një rast i jashtëzakonshëm ku një lider opozitar i një vendi tjetër evropian i është nënshtruar një urdhri përjashtimi në bazë të akuzave të thjeshta të nxjerra kryesisht nga burime të mediave të huaja për pavarësi të dyshimtë editoriale. Berisha nuk ka qenë kurrë i dënuar për ndonjë vepër penale në Shqipëri dhe mohon me forcë të jetë përfshirë në aktivitete kriminale korruptive”.
Por nga ana e saj, Ministria e Brendshme Britanike i qendron vendimit. Sipas tyre, ata po mbështesin Shqipërinë që të pastrohet nga të korruptuarit.
“Qeveria e Britanisë së Madhe ka si prioritet sigurinë e vendit tonë dhe e bën këtë edhe duke promovuar sigurinë, prosperitetin dhe shtetin ligjor në të gjithë botën. Britania e Madhe ka qenë një partnere e Shqipërisë duke e mbështetur në llogaridhënien dhe ndërmarrjen e veprimeve konkrete kundra kriminalitetit dhe korrupsionit”, tha një zëdhënës i Home Office, raportojnë mediet britanike.
Procesi do të vijojë disa ditë dhe më pas do të vendoset nëse Londra do të heqë shpalljen e padëshirueshëm të Berishës, apo ish-kryeministri do vijojë ta ketë mbi shpinë atë damkë. /Pamfleti
Lini një Përgjigje