Sali Berisha ka apeluar vendimin e shpalljes “Non Grata” nga Londra dhe sot ishte planifikuar seanca me dyer të mbyllura ndaj tij...
Sali Berisha duket se po rropatet gjyqeve muajt e fundit. Që kur amerikanët i vunë damkën e “non gratës”, ai nisi një proces shterpë gjyqësor ndaj Sekretarit Blinken dhe që nga ajo ditë duket se i ka hapur telashe vetes.
Në Tiranë është bërë pjesë e shumë proceseve gjyqësore, nga ai i vulës së PD, tek ato për masën e sigurisë, duke bredhur përmes avokatëve në Shkallën e Parë, Apel dhe Gjykatën e Lartë. Por duket se tani Berisha ka hapur një betejë dhe në Londër. Britanikët e shpallën të padëshiruar në vitin 2022, duke e akuzuar për korrupsion dhe lidhje me krimin e organizuar. Por ndryshe nga SHBA që nuk të jep mundësi të ankohesh, Britania të jep të drejtën e Apelimit.
Berisha ka bërë ankesë sot në Komisionin e Posaçëm të Apelit për Imigracionin, ku do të mbahet një seancë e posaçme për të. Ish-Kryeministri ka pajtuar një studio ligjore në Londër, e cila ka angazhuar 6 avokatë.
Njoftimi është dhënë dje nga vetë studioja ligjore “Zaiwalla&co”. Në njoftimin e siguruar nga “Pamfleti”, kompania sulmon kryeministrin Rama dhe po ashtu shprehet se “non grata” ka ardhur si pasojë e lobimeve të Soros. Mbetet të shihet nëse Berisha do t’ja dalë të heqë damkën e “non gratës”.
DEKLARATA E PLOTË
Më 19 mars 2024, Komisioni i Posaçëm i Apelit për Imigracionin (SIAC) në Mbretërinë e Bashkuar do të përballet me një sfidë të rëndësishme ligjore nga lideri aktual i opozitës shqiptare dhe ish-kryeministri, Dr Sali Berisha, i cili kundërshton vendimin e Qeverisë së Mbretërisë së Bashkuar të vitit 2022, për të ndaluar hyrjen e tij në Mbretërinë e Bashkuar, për shkak të pretendimit për lidhje me krimin dhe korrupsionin.
Kjo është sfida e parë e njohur ligjore ndaj një vendimi të Sekretarit të Çështjeve të Brendshme të Mbretërisë së Bashkuar, që përjashton një lider të opozitës së një shteti të huaj mik nga MB.
Mbretëria e Bashkuar dhe Shqipëria kanë marrëdhënie të mira diplomatike. Dr. Berisha pretendon se kryeministri aktual i Shqipërisë, Edi Rama, ishte informuar për urdhrin e përjashtimit dhe e kishte shpallur atë në Kuvendin e Shqipërisë, para se Berisha të ishte njoftuar për vendimin e Sekretarit të Brendshëm.
Sekretari i Brendshëm ka marrë vendimin për t’i ndaluar hyrjen Dr. Berishës, pasi ai dyshohet se ka qenë i përfshirë në kriminalitet dhe korrupsion. Ky vendim raportohet se është marrë si pjesë e përpjekjeve të Qeverisë së Mbretërisë së Bashkuar për të luftuar Grupet e Krimit të Organizuar në Ballkanin Perëndimor, i cili fillimisht po pilotohet në Shqipëri.
Çështja pritet të jetë një precedent dhe do të përfshijë SIAC në shqyrtimin e provave të inteligjencës me dyer të mbyllura, pa i dhënë mundësi Dr.Berishës të provojë pafajësinë e tij.
Dr. Berisha kishte aplikuar në SIAC për një Rishikim Gjyqësor të vendimit të Sekretarit të Brendshëm në gusht 2022, duke pretenduar se akuzat për kriminalitet dhe korrupsion të bëra ndaj tij ishin të pavërteta. Ai nuk kishte çështje penale në Shqipëri dhe se vendimi i MB ishte i motivuar politikisht. Dhe u ngrit si rezultat i lobimit nga kundërshtarët e tij politikë, veçanërisht kryeministri aktual i Shqipërisë, Edi Rama dhe filantropisti miliarder me bazë në SHBA, George Soros, një figurë me ndikim që supozohet se ishte mentori i Ramës.
Çështja përmend individë të tjerë të profilit të lartë, si Sekretari i Shtetit i SHBA-së Antony J Blinken, ambasadori aktual dhe ish-ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në Shqipëri dhe figura të tjera politike shqiptare, si ish-kryetari i Partisë Demokratike Shqiptare, Lulzim Basha.
Në maj të vitit 2021, një urdhër i ngjashëm përjashtimi u mor nga qeveria amerikane ndaj Dr. Berishës dhe familjes së tij. Dr. Berisha që atëherë ka ngritur një padi në Francë kundër Sekretarit të Shtetit të SHBA, Antony J Blinken.
Ekipi ligjor i Dr. Berishës do të ngrejë argumente duke përfshirë rastet kur Sekretari i Brendshëm ka (i) bërë një gabim ligjor, pasi akuzat serioze të bëra kundër Dr. Berishës janë padyshim të pavërteta, (ii) ka bërë një dallim arbitrar midis Dr. Berishës dhe atyre që janë në pozitë analoge (përfshirë Edi Ramën, ndaj të cilit ka edhe akuza të rënda për korrupsion dhe kriminalitet), (iii) nuk mori parasysh faktin që Dr. Berisha nuk ka qenë në pushtet prej 10 vitesh, duke anashkaluar personat që janë aktualisht në pushtet dhe (iv) Imunitetin Diplomatik.
Vendimi i SIAC mund të ndikojë potencialisht në politikën e Mbretërisë së Bashkuar në Ballkanin Perëndimor, i cili kuptohet si një rajon me rëndësi të madhe për Ministrinë e Brendshme, duke pasur parasysh krizën e emigrantëve.
Sarosh Zaiwalla, Kartik Mittal, Henna Elahi, Stephanie Limaco dhe Daniel Powell do të veprojnë në këtë rast duke udhëzuar Fergus Randolph-in nga “Brick Court Chambers”. /Pamfleti
Lini një Përgjigje