
Ministri i Brendshëm Taulant Balla priti sot Todd D. Robinson, Ndihmës Sekretar i Shtetit për Çështjet Ndërkombëtare të Narkotikëve dhe Zbatimit të Ligjit (INL).
Gjatë takimit, Balla falënderoi Ndihmës Sekretarin e Shtetit për bashkëpunimin e me agjencitë ligjzbatuese dhe programet e asistencës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, INL, ICITAP dhe DEA.
Ministri i Brendshëm thekson se lufta kundër krimit të organizuar dhe përmirësimi i sigurisë publike mbeten prioritet kryesor dhe goditjet e forta kundër grupeve kriminale vijojnë të intensifikohen çdo ditë.
“Me mbështetjen e tyre kemi përmbyllur me sukses një sërë operacionesh hetimore të përbashkëta, zhvilluar trajnime të punonjësve të policisë dhe Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore dhe kemi ngritur kapacitete në fushën e sigurisë kibernetike. Lufta kundër krimit të organizuar dhe përmirësimi i sigurisë publike mbeten prioritet kryesor dhe goditjet e forta kundër grupeve kriminale vijojnë të intensifikohen çdo ditë. Hetime komplekse në bashkëpunim me SPAK apo prokuroritë e juridiksionit të përgjithshëm në rrethe po çmontojnë grupe të përfshira në ngjarje të rënda, si vrasje trafiqe a pastrime parash. Falë bashkëpunimit të shkëlqyer me Interpol po punojmë çdo ditë për t’i dhënë fund të pandëshkueshmërisë, duke gjurmuar, lokalizuar dhe kapur persona në kërkim ndërkombëtar, kudo që ndodhen”, tha Balla.
Gjithashtu ai konfirmoi se do të vijohen përpjekjet për përmirësimin e rezultateve në luftën kundër trafikimit të qenieve njerëzore përmes Mekanizmit Kombëtar të Referimit, me kontributin e institucioneve të drejtësisë, organeve ligjzbatuese dhe shoqërisë civile.
Balla takoi gjithashtu ambasadorin britanik Alastair King-Smith ku vizituan mjediset e reja të Departamentit për Teknologjinë dhe Informacionin të Policisë së Shtetit. Aty ruhet baza e të dhënave, e cila është financuar nga Mbretëria e Britanisë së Madhe.
Sipas tij, siguria kibernetike dhe bashkëpunimi me partnerët është me rëndësi për të mundësuar qëndrueshmërinë e sistemeve tona ndaj sulmeve kibernetike. Ministri e cilësoi bashkëpunim me qeverinë britanike të shkëlqyer, duke veçuar atë për luftën kundër migracionit ilegal, si dhe mbështetjen e vazhdueshme që është ofruar.
Ekspertët e IT-së shpjeguan se ambientet e Datacenter-it garantojnë siguri të lartë. Çdokush që hyn apo del regjistrohet, jo vetëm me kohën por shoqëruar edhe me foto të personit.
Lini një Përgjigje