
Kuvendi i Shqipërisë ka miratuar sot me 76 vota pro një vendim që zgjat vlefshmërinë e kartave të identitetit dhe pasaportave të skaduara, por vetëm për ata qytetarë që do të votojnë nga jashtë vendit.
Ky vendim vjen si pjesë e përpjekjeve për të lehtësuar procesin e votimit për emigrantët shqiptarë, duke iu dhënë mundësinë të marrin pjesë në zgjedhjet e 11 majit pavarësisht dokumenteve të skaduara.
Afati i regjistrimit të shqiptarëve që jetojnë jashtë vendit si zgjedhës në Shqipëri për zgjedhjet e 11 majit përfundon në 4 mars. Deri më tani janë regjistruar 192 mijë zgjedhës, ndërsa kanë aplikuar 238 mijë. Deri në përfundim të afateve të regjistrimit mendohet se do të jenë rreth 230 mijë shqiptarë që jetojnë jashtë vendit që do të kenë të drejtën të votojnë përmes postës për zgjedhjet e 11 majit.
Vota e tyre do të llogaritet në qarqet ku ato janë të regjistruar. Varësisht nga pjesëmarrja në votime, vota e tyre mund të jetë përcaktuese në disa nga qarqet e vendit, përfshi edhe Tiranën, ku pothuajse rezultojnë të regjistruar rreth ¼ e atyre që kanë aplikuar.
Lini një Përgjigje