TAGS-AT E JAVËS

Politike27 Shkurt 2025, 12:59

11 Maji, SPAK dhe Prokuroria e Përgjithshme ‘vulosin’ strategjinë për parandalimin e krimeve zgjedhore

Shkruar nga Pamfleti

11 Maji, SPAK dhe Prokuroria e Përgjithshme ‘vulosin’

Ky protokoll i nënshkruar mes tre palëve synon të parandalojë dhe ndjekë veprat penale që lidhen me zgjedhjet!

KQZ ka firmosur sot një protokoll me SPAK dhe Prokurorinë e Përgjithshme, me qëllim shkëmbimin e shpejtë të informacionit për mbarëvajtjen zgjedhore. Në ambientet e KQZ, sot të pranishëm ishin kreu i SPAK, Altin Dumani dhe kryeprokurori i përgjithshëm Olsian Çela.

Protokolli synon parandalimin e krimeve zgjedhore ndërsa nëpërmjet tij parashikohen masa të përbashkëta për parandalimin, identifikimin dhe ndjekjen e veprave penale që lidhen me zgjedhjet.

Sipas SPAK, ky bashkëpunim synon jo vetëm parandalimin e krimeve zgjedhore, por edhe ndëshkimin e çdo shkeljeje që cenon procesin zgjedhor, duke garantuar që çdo veprim kundër votës së lirë të marrë përgjigjen e duhur ligjore.

“Sot në mjediset e KQZ Shqipëri, së bashku me Prokurorin e Përgjithshëm, z. Olsian Çela dhe Drejtuesin e SPAK, z. Altin Dumani, nënshkruam Protokollin e Koordinimit dhe Bashkëpunimit mes Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Prokurorisë së Përgjithshme dhe Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK).

Ky protokoll është një hap i rëndësishëm drejt forcimit të bashkëpunimit institucional për të garantuar integritetin dhe besueshmërinë e procesit zgjedhor për zgjedhjet parlamentare të vitit 2025.

Nëpërmjet këtij protokolli parashikohen masa të përbashkëta për parandalimin, identifikimin dhe ndjekjen e veprave penale që lidhen me zgjedhjet, si dhe krijimi i mekanizmave të qëndrueshëm për shkëmbimin e shpejtë dhe efikas të informacionit mes institucioneve të përfshira.

Ky bashkëpunim i strukturuar synon jo vetëm parandalimin e krimeve zgjedhore, por edhe ndëshkimin e çdo shkeljeje që cënon procesin zgjedhor, duke forcuar kështu drejtësinë zgjedhore dhe duke garantuar që çdo veprim kundër votës së lirë të marrë përgjigjen e duhur ligjore.

Me këtë marrëveshje, KQZ, Prokuroria e Përgjithshme dhe SPAK riafirmojnë angazhimin e tyre për një proces zgjedhor të drejtë, të lirë dhe në përputhje me standardet demokratike dhe normat e Bashkimit Evropian. Protokolli është pjesë e përpjekjeve të vazhdueshme për të rritur transparencën dhe për të forcuar besimin e qytetarëve tek zgjedhjet dhe institucionet përgjegjëse për administrimin dhe monitorimin e tyre.

Bashkëpunimi do të vijojë gjatë gjithë periudhës zgjedhore, me koordinim të pandërprerë mes palëve për të garantuar që çdo rast i dyshuar apo çdo përpjekje për të ndikuar në procesin zgjedhor të adresohet me përgjegjshmëri dhe profesionalizëm”, thuhet në njoftimin e SPAK.

Ky takim vjen pas përgjigjes së Prokurorisë së Posaçme SPAK, ndaj kryeministrit Rama i cili deklaroi që të mos survejoheshin partitë politike në zgjedhje. SPAK publikoi pikat kryesore të kësaj strategjie për bashkëpunim në hetime dhe goditje të fenomenit.

11 Maji, SPAK dhe Prokuroria e Përgjithshme ‘vulosin’

Lini një Përgjigje