
Sekretari i Jashtëm i Britanisë së Madhe, David Cameron do të vijë në Tiranë më 22 maj, i cili do të pritet nga kryeministri Rama rreth orës 12:00.
Parashikohet që takimi me kryeminsitrin do të zgjasë rreth një orë, ndërsa më pas do të mbahet një konferencë për mediat.
Fillimisht do të pritet nga homologu i tij, Ministri i Punëve të Jashtme Igli Hasani e më pas në orën 12.00 do të zhvillohet takimi me kreun e qeverisë.
Në orën 14:30 Sekretari i Jashtëm britanik do të pritet nga Presidenti Bajram Begaj.
Tabloidi britanik "The Sun" shkruan se Cameron do të vijë në Shqipëri për të prezantuar një program të ri kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar në Shqipëri si dhe për të prezantuar një plan të ri për të goditur bandat e organizuara kriminale që qëndrojnë pas trafikut të qenieve njerëzore.
Kjo vizitë, vjen pas një telefonate të zhvilluar mes kryeministrit Edi Rama dhe homologut të tij britanik më 10 maj. Qeveria shqiptare dhe ajo britanike janë angazhuar që në dhjetor të vitit 2022 përmes një marrëveshje për luftën e përbashkët kundër emigracionit të paligjshëm drejt Britanisë së Madhe, pasi një numër i madh shqiptarët kalonin ilegalisht përmes kanalit të La Manshit.
Një nga masat e marra të qeverisë britanike ishte dërgimi i mijëra emigrantëve që hynin në Britaninë e Madhe në Ruandë, anulimin e të cilit kryeministri Rishi Sunak e ka cilësuar si një rrezik për Britaninë e Madhe.
Lini një Përgjigje