
Strategu amerikan i fushatave zgjedhore, i cili për 11 majin, po ndihmon PD-në dhe aleatët e saj të përfshirë në koalicionin ‘Aleanca Shqipëria Madhështore’, Chris LaCivita, ishte në qendër të një shkrimi në prestigjiozen "The Guardian".
Ai është shfaqur në një video "kurth" të gazetarëve të The Guardian, e cila zbuloi se LaCivita ka qenë edhe në Australi për të këshilluar Liberalët atje në lidhje me probleme strukturore. Një vizitë, që siç thotë edhe vetë duhet të ishte diskrete.
Por, ajo që bie në sy është se kur gazetarët i përmendin prezantimin e tij në Shqipëri, LaCivita qesh me shpirt, duke thënë se “është një vend ku përzierja e amerikanëve në zgjedhje inkurajohet.”
LaCivita po këshillon Partinë Demokratike në fushatën zgjedhore, duke u prezantuar nga Berisha si strategu i afërt me Donald Trump.
"Nuk më intereson ai nivel vëmendjeje. Diskrecioni është përgjithësisht mënyra se si, besojeni apo jo, përpiqem të ruaj njëfarë diskrecioni. Shqiptarët kishin një mendësi tjetër. Ai është një vend ku përzierja e amerikanëve në zgjedhjet e tyre, inkurajohet. Kudo tjetër, jo aq shumë", thotë LaCivita.
LaCivita ishte herën e fundit në Shqipëri në mitingun e hapjes së fushatës elektorale, ku mbajti edhe një fjalim që zgjati vetëm 35 sekonda. Më pas ai u largua nga Shqipëria, por mban kontakte online me grupin koordinues të fushatës, ku duket se jep këshilla, edhe pse me shumë gjasë mund ta ketë të vështirë të njohë mjedisin politik dhe atë elektoral shqiptar.
LaCivita në disa raste është përfshirë në replika në distancë me Kryeministrin Edi Rama, i cili synon mandatin e 4-t rradhazi në krye të qeverisë, duke e etiketuar kreun socialist si një sorosian.
Në anën tjetër Rama ka zgjedhur ta ‘pagëzojë’ Chris Lacivita me emrin ‘Latif’.
Lini një Përgjigje