
Sekretari i Rithemelimit për Çështjet Ligjore Ivi Kaso, e ka konsideruar vendimin e Gjykatës së Lartë për kthimin në Gjykatën e Apelit të logos dhe vulës të PD-së si një legjitimim të vendimmarrjes së Kuvendit kombëtar në 11 dhjetor 2021.
Kaso tha se vendimi i sotëm i Gjykatës së Lartë nuk është më i miri i mundshëm për Rithemelimin, duke shtuar se duhej t’i ishte dhënë fund zvarritjes së procesit për vulën e PD-së.
“Me vendimin e sotëm, praktikisht gjykata e Lartë legjitimon ose rikthen në fuqi vendimin e shkallës së parë të 25 marsit të vitit 2022 që njohu si të ligjshme vendimmarrjen e dhjetorit të vitit 2021 ku u zgjodhën organet e reja drejtuese të PD. Këto vendime rikthehen në fuqi deri në një vendim tjetër nga gjykata. Nuk është vendimi më i mirë i mundshëm sepse sot gjykata e Lartë duhet ta kishte mbyllur sagën e zvarritjes së vulës së PD-së. Gjykata e Lartë ka preferuar që të mos i futet çështjes se kujt i takon vula por është mjaftuar me shkeljet e rënda të gjetura në vendimin e gjykatës së Apelit”, tha Kaso.
Ndërsa për anëtarin e Këshillit Kombëtar të PD-së, Besart Logu vendimi i sotëm nuk cënon legjitimitetin e Partisë Demokratike. Ai tha se interpretimet që i bëhen nga Rithemelimi janë propagandë dhe se ky vendim në fakt legjitimon Partinë Demokratike si palë të procesit gjyqësor.
“Duhet theksuar se nuk cënohet legjitimiteti i PD-së. Vendimi i gjykatës së Lartë nuk është se e cënon legjitimitetin e PD-së dhe gjithçka që ka të bëjë me identitetin e asaj partie. Është çështje propagandistike. Sot PD u legjitimua si e tillë sepse së pari vendimi i Zhukrit nuk është i ekzekutueshëm. Vendimi i gjykatës së Lartë sot u bë vendimi i dytë i radhës i një gjykate që legjitimon PD-në si palë e këtij procesi gjyqësor. Nëse iu kujtohet debati që ngrinte Rithemelimi se PD nuk legjitimohet të ngrejë ankim, ndërkohë ky ankim u pranua nga gjykata e Apelit dhe së fundmi nga gjykata e Lartë”, tha Logu.
Nga ana tjetër, analisti Ben Andoni tha se ndarja brenda PD-së tashmë do jetë edhe më e madhe dhe shtoi se do të pengohet edhe veprimtaria e partisë në parlament. Andoni pati edhe një kritikë për sistemin e drejtësisë, duke u shprehur se me zvarritje të tilla po mban peng procesin për partinë e dytë më të madhe në vend.
“Më vjen keq të them se ndarja do jetë jashtëzakonisht e madhe sepse kjo ka penguar veprimtarinë e PD-së ligjore në parlament. Grupit të Rithemelimit i është bashkuar edhe grupi i Bardhit. Më shumë i prish punë grupit parlamentar të PD-së sesa i prish punë Ramës apo mazhorancës. Viti po mbyllet me lajm jo të mira për PD-në. Drejtësia nuk ka kuptuar përgjegjësinë e saj para qytetarëve, se duhet të zgjidhte sa më shpejt këtë debat. Të mbash peng procesin për partinë e dytë më të madhe në vend, mua më duket absurde”, u shpreh analisti për “Report Tv”.
Lini një Përgjigje