
Dhëndri i ish-Kryeministrit Sali Berisha, Jamarbër Malltezi ka reaguar pasi Gjykata e Lartë nuk dha asnjë vendim për çështjen dhe vulën e PD, por dërgoi çështjen në Apeli.
Me anë të një postimi në Facebook, Malltezi shprehet se në Shqipëri janë mbi 70 parti politike që janë në opozitë, përveç Partisë Socialiste.
“Në Shqipëri ka mbi 70 parti politike, të gjitha (përveç PS) në letra janë në opozitë. Në realitet të gjithë dimë kush bën opozitë e kush është blerë qoftë nga Rama apo Soros, kush përballet e kush fshihet, kush është peng e kush i lirë e i pashantazhueshëm”, shkruan në reagimin e tij Malltezi.
Sot Kolegji Civil i Gjykatës së Lartë e ka kthyer për rishqyrtim në Gjykatën e Apelit çështjen për vulën dhe logon e Partisë Demokratike.
Në vendimin e marrë ditën e sotme, Gjykata e lartë prishi vendimin e Gjykatës së Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm të Tiranës, me argumentin se “ka lejuar shkelje procedurale që e bëjnë të cënueshëm vendimin e dhënë prej saj”.
Kolegji Civil i Gjykatës së Lartë argumenton se konflikti mes palëve se kujt i takon vula dhe logo e Partisë Demokratike është çështje që zgjidhet vetë nga kjo gjykatë.
“Kolegji konstaton se, Gjykata e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë nuk i ka dhënë përgjigje kërkesave të palëve në ankimet respektive, ndërkohë që kryesisht ka marrë në shqyrtim çështje për të cilat palët nuk i kanë ngritur si pretendime në ankim, dhe që gjithsesi nuk përbëjnë shkak për prishjen e vendimit dhe dërgimin e çështjes për rishqyrtim. Kolegji vlerëson se pretendimet e ngritura në ankimet e paraqitura pranë Gjykatës së Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë janë çështje të cilat mund të zgjidheshin vetë nga ajo gjykatë”, thuhet në vendimin e Kolegjit Civil të Gjykatës së Lartë.
Për këtë arsye, kjo gjykatë ka vendosur që kjo çështje të rikthehet për rishqyrtim në Apel me një tjetër trupë gjykuese.
Lini një Përgjigje