TAGS-AT E JAVËS

Politike 4 Janar 2025, 10:56

Vendimi i Apelit ndaj Berishës, reagon Jozefina Topalli: Do të ndikojë në fushatë!

Shkruar nga Pamfleti
Vendimi i Apelit ndaj Berishës, reagon Jozefina Topalli: Do të
Jozefina Topalli

Ish-kryeparlamentarja Jozefina Topalli ka reaguar lidhur me vendimin e Apelit për Sali Berishën. Topalli e ka quajtur vendimin absurd, teksa ka theksuar se është një akt që sfidon sipas saj logjikën juridike.

“Dje kemi qenë dëshmitarë të një tjetër vendimi politik nga sistemi i drejtësisë: detyrimi për paraqitje ndaj Sali Berishës, liderit të opozitës. Ky është një akt që sfidon logjikën juridike dhe parimet themelore të drejtësisë. Ky vendim, i marrë kur hetimet janë mbyllur, nuk është thjesht i pa mbështetur ligjërisht; ai është një absurd juridik që sfidon çdo parim të shtetit ligjor.  Në fakt, absurdi ka shoqëruar çdo fazë të këtij procesi politik.

Berisha është arrestuar pa akuza. Kryetari i opozitës është mbajtur në arrest shtëpie për 333 ditë, në shkelje të hapur të Kushtetutës dhe ligjeve të vendit. Është dënuar nga një gjyqtare e shkarkuar për korrupsion nga vetë Presidenti Berisha. Procesi ka nisur nga një ministër i qeverisë aktuale. Bazohet në një VKM kolegjiale të miratuar 20 vite më parë”, shkruan Topalli në një reagim në “Facebook”.

Në të njëjtën linjë me Berishën , edhe Topalli e lidh vendimin e Apelit me fushatën elektorale të zgjedhjeve të këtij viti.

“Me vetëm 4 muaj nga zgjedhjet, është e pamundur të mos e lidhim këtë proces me fushatën elektorale dhe përdorimin e drejtësisë nga pushteti aktual. Kjo është një “gjueti shtrigash” e orkestruar për të ndikuar në rezultatin zgjedhor. Ironikisht, duke ndjekur këtë rrugë të gabuar, kundërshtarët e tij po e shndërrojnë Sali Berishën në një figurë të persekutuar padrejtësisht, e cila në vend që të dobësohet, fiton mbështetje dhe solidaritet. Historia ka treguar se padrejtësitë vetëm i forcojnë figurat si Berisha dhe i rrënjosin më thellë në ndërgjegjen publike. “Kur drejtësia bëhet e politizuar, ajo humbet çdo lidhje me ligjin dhe shndërrohet në një mjet të pushtetit, duke cenuar themelet e një shoqërie të drejtë dhe të barabartë.” Drejtësia e politizuar nuk është drejtësi!”, thekson Topalli.

vendimi i apelit per berishen

Lini një Përgjigje