Në mes të debatit për lirinë e medias dhe rolin e Kodit Penal në kufizimin e saj, deputeti dhe ish-ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja, ka mbrojtur fuqimisht ndryshimet e propozuara, duke theksuar se ato janë pjesë e procesit të harmonizimit me legjislacionin e Bashkimit Europian dhe nuk cenojnë gazetarët, por vetëm “profesionistët e shpifjes”.
Nga foltorja e Kuvendit, Manja u shpreh se Shqipëria ndodhet në një fazë kyçe të negociatave, duke punuar përmes një dokumenti kuadër që parashikon ndryshime të thella në drejtësi dhe siguri. “Ndryshimet që propozojmë janë të domosdoshme për kapitullin 24 të negociatave me BE-në; përforcojmë luftën kundër pastrimit të parave dhe terrorizmit, por edhe zgjerojmë juridiksionin penal jashtë territorit shqiptar,” deklaroi ai.
I ndalur te shqetësimet për lirinë e medias, Manja mohoi se ka synim ndëshkimin e gazetarëve: “Askush nuk po kërkon të regjistrojë gazetarët. Gazetarët që merren me lajmin nuk duhet të kenë asnjë shqetësim. Profesionistët e shpifjes, ata po. Sot kemi 800 portale që s’e dinë çfarë është etika; ata duhet të përballen me ligjin.”
Manja paralajmëroi gjithashtu se qeveria është angazhuar për hartimin dhe miratimin e ligjit anti-SLAPP, i cili ka për qëllim të mbrojë gazetarët nga padi abuzive që synojnë t’i heshtin. Sipas tij, ky ligj do të jetë gati brenda vitit 2027. Në shtator 2025, Shqipëria ka dorëzuar tashmë në Komisionin Europian tabelat e përputhshmërisë për këtë ligj.
Në një përpjekje për të qetësuar opinionin publik dhe median, Manja mbylli fjalën e tij me deklaratën se “pa gazetarë të lirë, gjithçka që bën politika do mbetej brenda kësaj salle”, por opozita mbetet skeptike dhe kundër ndryshimeve që, sipas tyre, synojnë të heshtin kritikën.
Lini një Përgjigje