TAGS-AT E JAVËS

Politike27 Janar 2026, 20:42

Tabaku në Kuvend: Shfuqizoni nenet për shpifjen e fyerjen, ligji penal po përdoret për të frikësuar median

Shkruar nga Pamfleti
Tabaku në Kuvend: Shfuqizoni nenet për shpifjen e fyerjen, ligji penal
Jorida Tabaku

Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, ka ngritur alarmin nga foltorja e Kuvendit, duke akuzuar qeverinë se po përdor nenet penale për shpifjen dhe fyerjen si armë kundër lirisë së shprehjes dhe medias së pavarur.

Tabaku deklaroi se së bashku me juristë, gazetarë dhe aktivistë ka hartuar një amendament për shfuqizimin e neneve 119 dhe 120 të Kodit Penal, që parashikojnë ndëshkimin penal për shpifje dhe fyerje. Sipas saj, këto dispozita përdoren nga pushteti si mjet presioni ndaj gazetarëve kritikë dhe qytetarëve të zakonshëm që guxojnë të flasin. “Në vitin 2004, Shqipëria ishte në vendin e 34 për lirinë e medias. Sot është në vendin e 99. Ky nuk është progres; është një fundosje e qëllimshme,” tha ajo.

Sipas të dhënave që ajo citoi, vetëm në vitin 2024 janë regjistruar 45 sulme serioze ndaj gazetarëve, shumica e të cilëve gra. Ajo theksoi se integrimi europian nuk mund të bëhet me gazetarë që ndiqen penalisht për shkrimet e tyre. “Ligji penal nuk mund të mbrojë reputacionin e politikanëve; nëse dikush ka pretendime, le të ndjekë rrugën civile,” u shpreh Tabaku.

Në propozimin e saj, përveç shfuqizimit të neneve 119 dhe 120, parashikohen edhe ndryshime në nenet 237 dhe 287, me qëllim rritjen e ndëshkimeve për këdo që sulmon fizikisht ose pengon punën e një gazetari. “Gazetari është shërbyes publik dhe duhet mbrojtur si i tillë,” deklaroi Tabaku.

Ajo i bëri thirrje të gjithë deputetëve që të mbështesin këtë nismë, duke e quajtur “një ligj që duhet të bashkojë parlamentin, jo ta përçajë”. Në të kundërt, sipas saj, vota kundër do të thotë mbështetje për censurën, frikën dhe mos-integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian.

 

tabaku kuvend

Lini një Përgjigje