
PS plan për të goditur SPAK pas zgjedhjeve, si po thuret plani...
I gjithë fokusi këto ditë është përqendruar te zgjedhjet dhe te vota e diasporës. Ndonëse fushata është ende larg, partitë kanë nisur punën dhe kjo situatë po shfrytëzohet shumë mirë nga Edi Rama. Padyshim fitorja e zgjedhjeve është prioritet kryesor i PS-së, por ajo që po kërkohet me patjetër është sigurimi i një shumice të cilësuar. E cila për të thënë të vërtetën nuk do jetë aq e lehet të arrihet, pasi duke parë sondazhet, ka një rritje të ndjeshme të partive të reja. Dhe kjo është arsyeja që është hedhur në sulm për vota.
Por arsyeja që Rama lakmon 84 mandate, është projekti që ka hartuar me Fatmir Xhafën. Ky i fundit ka marrë drejtimin e Komisionit Antikorrupsion, i cili po punon nën rrogoz. Në 3 javët e para të këtij muaji janë zhvilluar dy mbledhje dhe në një prej tyre janë marrë disa vendime të rëndësishme, që kanë mbetur në hije. Në mbledhjen e datës 17 janar, ekspertët prezantuan në komision draft Dokumentin Analitik, mbi bazë të së cilit do të përcaktohen më pas dhe ndryshimet ligjore. Plani është që këto ligje të ndryshohen pas zgjedhjeve, kjo pasi një pjesë kërkojnë 84 vota.
Ajo që bie sy në dokumentin analitik, të cilin e ka siguruar “Pamfleti”, është se ka disa elemente që sinjalizojnë se do të tentohet të dublohet SPAK. Po ashtu, duket se ky komision do ta fusë në hulli drejtësinë, duke e kanalizuar hetimin te nivelet e ulëta dhe jo te të lartat.
“Korrupsioni nuk vjen vetëm nga zyrtarët e lartë, por gjendet i shtrirë kudo dhe në forma nga më të ndryshme, prandaj gjykohet se ekzistenca e një institucioni totalisht të pavarur, i cili të ketë qëllimin kryesor luftën kundër korrupsionit, do duhet të qendërzojë edhe të gjitha informacionet nga burimet e ndryshme, sepse kjo do të ishte një vlerë e shtuar në procesin e efektivitetit edhe të procesit të deklarimit të pasurisë apo të të ardhurave individuale, për të gjithë punonjësit si në sektorin shtetëror dhe atë privat”, thuhet në dokument.
Në këtë pasazh nuk është e qartë nëse synohet të rishikohen kompetencat e SPAK, apo do krijohet një tjetër institucion antikorrupsion.
Po ashtu në vazhdën e kësaj, kërkohet që të hetohet pasuria e të gjithë administratës dhe jo vetëm e politikanëve. Pra, drejtësia do mbytet me dosje për juristë, financierë, roje, etj dhe do ja hedhin paq ministrat dhe zyrtarët e lartë.
“Në drejtim të hetimit të korrupsionit, elementi bazë është pasuria e punonjësit, e cila lidhet drejtpërdrejtë me aferat korruptive. Në vendin tonë ekzistojnë institucione të pavarura, por edhe struktura institucionale, të cilat kanë si qëllim luftën kundër korrupsionit, identifikimin dhe parandalimin e konfliktit të interesit dhe identifikimin e pasurisë ndër vite të punonjësve si në sektorin publik dhe ai privat. Ngërçi që krijohet është se hetimi i pasurisë që në fillesa kryhet vetëm për funksionarët/drejtuesit e lartë, pra nuk kryhet për gjithë punonjësit, prandaj procesi i gjurmimit të parasë që rrjedh prej korrupsionit, duhet të rishikohet në këndvështrimin e efektivitetit të tij, me qëllim parandalimin dhe ndëshkimin”, theksohet më tej.
Interesantja është se të tilla konkluzione vijnë në një kohë kur vetë SPAK kërkon që të mos merrte fare me korrupsionin e dorës së dytë. Por vetëm me pushtetarët. Ndërkohë një absurd tjetër është se vetë SPAK shprehet se ka goditur fort pasurit e të korruptive dhe krimit, duke sekuestruar miliona euro, por sipas analistëve të Xhafajt, nuk është bërë shumë në këtë aspekt.
“Adresimin e numrit të ulët apo mungesës së hetimeve financiare paralele me hetimin e veprave penale që gjenerojnë produkte/të ardhura kriminale. Në këtë drejtim është e rëndësishme rritja e numrit të hetimeve financiare sistematike për veprat penale që gjenerojnë produkte/të ardhura, duke mbajtur në konsideratë fillimin e hetimit financiar paralel në momentin e regjistrimit të procedimit penal; rritja e numrit të sekuestrimeve/konfiskimeve, përfshirë rastet e tjetërsimit të tyre nga persona të tretë; si dhe bashkëpunimi me institucionet përkatëse për menaxhimin e këtyre produkteve/aseteve...”, thekson dokumenti.
Pra nëse shohim këto përcaktime, është e qartë se pas zgjedhjeve do të ketë ndryshime thelbësore ligjore, të cilat në fushën e korrupsionit do të krijojnë përplasje me SPAK. Mbetet të shihet se çfarë planesh ka Xhafaj, por duket sikur nga gjithë ky angazhim i komisionit, do e pësojnë nivelet e ulëta të administratës dhe politika do shpëtojë veten. /Pamfleti
Lini një Përgjigje