Kryetarja e Komisionit të Ligjeve, Klotilda Bushka, gjatë mbledhjes së grupit parlamentar të PS, ka folur në lidhje me vënine e saj nën hetim nga SPAK për çështjen Veliaj.
“Sa i përket pretendimit për pengesë të së vërtetës. Po e kam takuar vajzën në fjalë si person që kam punuar më parë dhe kam lidhje gjaku. Ina Goxhaj është kushërira ime. E kam qetësuar duke e këshilluar të thotë të vërtetën dhe i kam sugjeruar si juriste një kushërire të drejtat e saj. vetëm kaq, nuk e kam penguar të thotë asgjë, as kam tentuar të fsheh ndonjë të vërtetë sepse jam e para e interesuar që e vërteta të dalë. E kam kritikuar kushërirën time për faktin se adresa e organizatës ku ajo ishte drejtoreshë nuk ishte ndryshuar nga viti 2017 edhe pse ia kisha kërkuar disa herë këtë gjë. Nuk di të shpjegoj çfarë ka ndodhur në prokurori apo çfarë trysnie ka ndjerë kushërira ime, që në bisedat tona private ajo i ka sjellë me kontekst tjetër. Kjo është e vërteta ime, por për këtë nuk jam thirrur kurrë”, tha Bushka.
SPAK njoftoi se po kryen hetime paraprake ndaj një deputeteje të Kuvendit të Shqipërisë si person i dyshuar për veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës.
“Prokuroria e Posaçme po kryen hetime paraprake ndaj deputetes së Kuvendit të Shqipërisë, shtetases K. B. Emri i kësaj të fundit është regjistruar në regjistrin përkatës të njoftimeve si person i dyshuar për kryerjen e veprës penale të “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”, parashikuar nga neni 301 i Kodit Penal. Deri në këtë fazë konstatohet se ekzistojnë të dhëna konkrete të cilat të çojnë tek dyshimi i arsyeshëm se personi nën hetim K. B. ka kryer veprime aktive të kundërligjshme të cilat kanë interferuar me hetimin e organit procedues në lidhje me procedimin penal nr. 27 të vitit 2024", thuhej në njoftimin e prokurorisë.
Lini një Përgjigje