Kuvendi i Shqipërisë ka nisur seancën plenare të kësaj të enjteje me një minutë heshtje në nderim të efektivit të Policisë së Shtetit që humbi jetën gjatë operacionit të zhvilluar në Maliq.
Kërkesa për mbajtjen e minutës së heshtjes u bë nga kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, i cili shprehu ngushëllimet për familjen e efektivit të rënë në krye të detyrës dhe uroi shërim të shpejtë për policin e plagosur gjatë të njëjtit operacion.
“Ka rënë në krye të detyrës efektivi i policisë dhe u plagos kolegu i tij gjatë një operacioni. Zonja dhe zotërinj, Policia e Shtetit përplaset çdo ditë me krimin. Gjaku i Policisë së Shtetit është gjaku i vetë shtetit. Kush ngre dorë ndaj policisë, ka ngritur dorë ndaj shtetit. Ngushëllim familjes së tij. Urojmë për shërim sa më të shpejtë policit të plagosur. Drejtësia të veprojë me dënimin maksimal ndaj autorit”, deklaroi Balla nga foltorja e Kuvendit.
Ngjarja e rëndë ndodhi mëngjesin e sotëm në zonën e Lozhanit, në Bashkinë Maliq, gjatë një operacioni për kapjen e një personi në kërkim. Gjatë shkëmbimit të zjarrit mes autorit dhe forcave të policisë, një efektiv humbi jetën, ndërsa një tjetër mbeti i plagosur.
Pas fjalës së Ballës, deputetët respektuan një minutë heshtje në nderim të efektivit të rënë në krye të detyrës.
Lini një Përgjigje