TAGS-AT E JAVËS

Politike 4 Qershor 2026, 10:27

Vrasja e efektivit të “Shqiponjave”, reagon Presidenti Begaj: Policia nuk do të zmbrapset nga krimi

Shkruar nga Pamfleti

Vrasja e efektivit të “Shqiponjave”, reagon Presidenti Begaj:

Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, ka reaguar pas ngjarjes së rëndë të ndodhur në Lozhan të Maliqit, ku gjatë një operacioni policor humbi jetën efektivi i forcës “Shqiponja”, Enea Mekolli, ndërsa kolegu i tij, Edison Adri, mbeti i plagosur rëndë.

Kreu i shtetit shprehu dhimbjen për humbjen e efektivit të Policisë së Shtetit, duke i përcjellë ngushëllimet familjes së tij dhe duke vlerësuar sakrificën e bërë në krye të detyrës.

Begaj uroi gjithashtu shërim sa më të shpejtë për efektivin e plagosur, i cili po merr trajtim mjekësor në Spitalin e Traumës në Tiranë.

Në reagimin e tij, Presidenti theksoi se Policia e Shtetit do të vazhdojë misionin e saj në luftën kundër krimit dhe se kjo ngjarje e rëndë nuk do ta lëkundë vendosmërinë e uniformave blu për të garantuar rendin dhe sigurinë publike.

“Bashkohem thellësisht me dhembjen për humbjen tragjike të jetës në krye të detyrës të policit Enea Mekolli dhe plagosjen rëndë të kolegut të tij, Edison Adri.

I shpreh familjes ngushëllimet dhe solidaritetin më të lartë në emër të shtetit shqiptar në këtë ditë mjaft të rëndë për ta!

I uroj shërim të plotë dhe sa më të shpejtë punonjësit të Policisë së Shtetit, i cili mbeti i plagosur!

Policia e Shtetit nuk do të zbrapset nga kjo humbje e do ta kthejë dhembjen në forcë e vendosmëri për të luftuar krimin në çdo skutë.

Populli shqiptar është masivisht përkrah policisë në mbrojtje të sigurisë dhe rendit publik”, shkroi Presidenti Bajram Begaj.

Lini një Përgjigje