TAGS-AT E JAVËS

Politike 7 Prill 2025, 20:13

U dekorua me medalje nga Izraeli, a diskutoi Rama në Jerusalem për strehimin e gazanëve në Shqipëri?

Shkruar nga Pamfleti

U dekorua me medalje nga Izraeli, a diskutoi Rama në Jerusalem për

Por idea e hedhur, pavarësisht reagimeve dhe kundërshtive, u mbajt ‘gjallë’ nga Presidenti Donald Trump, që në deklarata publike, përmendte një grup vendesh ku mund të zhvendoseshin gazanët, ku përfshinte edhe Shqipërinë

Edi Rama, kreu i qeverisë shqiptare, është vlerësuar me dekoratën më të lartë civile nga Presidenti izraelit, Isaac Zerzog, në një vizitë që ka zhvilluar në Izrael. Mbrëmjen e së dielës, Ramës iu akordua Medalja Presidenciale e Nderit.

Ramës iu dha medalja si mirënjohje për mbështetjen e tij për Izraelin pas masakrës së 7 tetorit, si dhe për qëndrimin e tij kundër antisemitizmit.

"Ju refuzuat t'i dorëzoheni presionit ndërkombëtar dhe demonstruat miqësi të thellë dhe mbështetje jetike për Izraelin", tha Herzog.

Rama dhe bashkëshortja e tij u pritën nga Herzog në rezidencën e Presidentit në Jerusalem, ku liderët diskutuan zhvillimet rajonale dhe nevojën urgjente për lirimin e pengjeve të mbajtur në Gaza, shkruhet në mediat izraelite.

Shqipëria ka mbështetur gjithmonë zgjidhjen me dy shtete, por për mendimin tonë, nuk do të ketë zgjidhje për sa kohë që Hamasi është përreth. Hamasi nuk është një lëvizje rezistence. Hamasi është nazistët e shekullit të ri dhe siç na ka mësuar historia nuk ka kompromis me Nazi", ka theksuar Rama.

Kjo është ajo që është thënë zyrtarisht lidhur me vizitën e Edi Ramës në Izrael.

Vizita e tij ka përkuar me vizitën e Kryeministrit izraelit Benjamin Netanyau në Shtëpinë e Bardhë ku ai është takuar me Presidentin Donald Trump.

Takimi Trump-Netanyahu vjen menjëherë pas caktimit të tarifave nga Presidenti amerikan. “Unë jam lideri i parë i huaj, që do të takohet me Presidentin Trump për këtë çështje, e cila është kaq e rëndësishme për ekonominë izraelite”, tha Netanyahu të dielën, duke shtuar “mendoj se kjo pasqyron lidhjen e veçantë personale, si dhe lidhjet speciale midis SHBA-së dhe Izraelit, e cila është kaq jetike në këtë kohë”.

Gjatë vizitës së fundit të Netanyahut në shkurt, Trump tronditi botën duke propozuar marrjen nën kontroll të Rripit të Gazës, largimin e më shumë se 2 milionë palestinezëve dhe rizhvillimin e territorit të pushtuar si një "Riviera e Lindjes së Mesme" , në fakt duke miratuar spastrimin etnik të popullit të Gazës.

Në atë kohë një prej gazetarëve izraelitë deklaroi se 100 mijë banorë të Gazës mund të zhvendoseshin në Shqipëri. Deklarata e gazetarit solli reagimin e menjëhershëm të Edi Ramës që e përgënjeshtroi një gjë të tillë, madje u shpreh se askush nuk e kishte përfshirë në një diskutim apo t’i ishte propozuar diçka e tillë.

Por idea e hedhur, pavarësisht reagimeve dhe kundërshtive, u mbajt ‘gjallë’ nga Presidenti Donald Trump, që në deklarata publike, përmendte një grup vendesh ku mund të zhvendoseshin gazanët, ku përfshinte edhe Shqipërinë. Këto diskutime u hodhën në fund të janarit dhe vijuan edhe në shkurt dhe më pas kishte një stopim të idesë, ndërsa Izraeli ka intensifikuar sulmet.

Dhe nëse merren në një rrjedhë logjike të gjitha zhvillimet e 4-5 muajve të fundit, nuk përjashtohet mundësia që në bisedën diplomatike që Presidenti izraelit dhe Kryeministri Rama të mos jetë diskutuar edhe idea e zhvendosjes së gazanëve, sipas idesë së propozuar nga Trump.

Shqipëria në 11 maj mban zgjedhjet parlamentare, ku Edi Rama shpreson të marrë mandatin e 4-t rradhazi si Kryeministër. Në kushte të tilla do të mbetet të shihet në vijim se çfarë qëndrimi mund të mbajë Qeveria shqiptare, nëse ai fiton zgjedhjet, kundrejt idesë së zhvendosjes së banorëve të Gazës, dhe nëse do të jetë kaq kategorik sa sot për të mos i pranuar në Shqipëri, qoftë edhe si ‘emigrantë të përkohshëm’.

Muajt në vijim mund të hedhin më shumë dritë, nëse dekorata që iu akordua nga Presidenti izraelit, është nderim për qëndrimet e mbajtura deri më tani nga Kryeministri Rama, apo është një ‘vlerësim në avancë’ për vendimmarrje që sot nuk pohohen me zë të lartë. /Pamfleti/

Lini një Përgjigje