
Dy partitë e mëdha janë modeli i së shkuarës dhe vijnë në rënien që do i bëjë që të mos arrijnë dot asnjëra 71 mandate deputetësh në zgjedhjet parlamentare të 11 majit.
Më SPAK-un pas qafës, ku Berisha madje ka edhe “një gur në qafë” me dosjet penale teksa ka privatizuar PD, bashkë me Ramën do e kenë të vështirë që të fitojnë shumicën, por do përpiqen të sigurojnë me çdo mënyrë dhe mundësi votat për të goditur SPAK-un, ashtu edhe siç është deklaruar kohët e fundit, duke bashkuar votat në Parlamentin e ardhshëm.
Kështu u shpreh deputeti dhe themeluesi i ‘Djathtas 1912’, Enkelejd Alibeaj, sot në ‘Studio Live’ të moderatorit Arbër Hitaj.
“Përgatitjet janë drejt fundit, më 11 fillon edhe fushata elektorale. Programi, organizimi, kandidatët dhe strukturat janë gati. Pak vonë, siç e konstatuat ju edhe për shkak të koalicioneve, por ‘dita e gjykimit’ erdhi. Ka vështirësi në fakt, sidomos ato financiare. Është e qartë, fushatat në Shqipëri janë të shtrenjta. Financat që kërkohen në proceset zgjedhore janë të mëdha. Që nga kancelaritë, administrata, raporti me mediat dhe të tjera. Këtë fushate e organizojmë me shpenzimet tona. Sipas Kodit Zgjedhor financime marrin partitë me deputetë në parlament, ne nuk kemi marrë, por s’jemi duke qarë. E shoh si një test, nëse bëhet fushatë në politikë me kosto minimale. Për të mos folur për vështirësitë e tjera, si mungesa e njerëzve në komisionet e qendrave të votimit apo dhe numërimit”, tha Alibeaj.
Por ai shtoi se tani modeli i vjetër i duopolit po shembet dhe ngjarjet e ndodhura këto kohë, me forcimin dhe goditjet e SPAK e kanë lënë të qartë edhe në lëvizjet e binomit Rama-Berisha.Ai ndau mendimin se tashmë PD është “parti private e Berishës”. Megjithatë fundi i duopolit ka mbërritur.
“Historiku i 35 viteve ka qenë duopol, kohë e gjatë. Por duopoli ka nisur të bjerë, e shoh që nga 5 vite më parë te Kodi Zgjedhor. Ka ardhur fundi duopoli ose mendësia për të mbajtur qeverisjen vetë dhe për të mos dhënë përgjegjësi. Kodi i ri elektoral e tregon edhe më mirë se ky sistem po bie. Ndaj zgjodhën listat e mbyllura, teksa ne zgjodhëm listat e hapura. Ata dy i dhanë sinjal shqiptarëve me pazarin që bënë. Ka një pjesë edhe te PD-ja parti personale dhe private e Berishës që kanë mbështetje për ne partitë e reja, sikurse edhe te PS”, vijon përfaqësuesi i koalicionit ‘Djathtas për Zhvillim’.
Sipas tij, Rama dhe Berisha nuk i kapin dot 11 mandate më 11 maj: “Unë mendoj se më 11 maj, as Rama dhe as Berisha nuk do e bëjnë dot shumicën e thjeshtë. Nuk do i bëjnë dot 71 mandate. Më 2021 Rama mori 48%, më pak se gjysmën, edhe për shkak të sistemit zgjedhor, por që atëherë shumë ngjarje kanë ndodhur që e kanë goditur qeverinë. Mbështetja ndaj tij ka rënë, edhe pse duket solid”.
Lini një Përgjigje