Teksa selitë diplomatike kanë dënuar dhunën në Kuvend dhe kanë bërë thirrje për dialog, mediat e huaja kanë vënë në dukje faktin se aksioni i Berishës ka nisur pas akuzave të SPAK...
Ngjarja e djeshme në Kuvend ka bërë bujë në mediat ndërkombëtare. Opozita ndezi tymuese në sallë, teksa një prej tyre shpërtheu dhe në falë, gjë që ekzaltoi jashtë mase deputetët krah Berishës dhe Bardhit.
Flaka u përdor i mesazh se ata janë gati ta djegin Parlamentin nëse nuk plotësohen këkresat e tyre. Mirëpo ashtu si në vend që jo të gjithë janë të sigurt se ky aksion ka të bëjë me kërkesat e opozitës, e njëjta gjë është dhe te mediat ndërkombëtare. Shumë media prestigjioze kanë bërë artikuj të gjatë dje dhe sot, por kanë një emërues të përbashkët. Të gjitha e vendosin theksin te fakti që ky aksion vjen pas akuzave që SPAK ka ngritur ndaj Sali Berishës për korrupsion.
“Muajin e kaluar prokurorët akuzuan Berishën dhe dhëndrin e tij për korrupsion lidhur me një marrëveshje toke që përfshinte terrenet e një klubi sportiv. Ata e akuzuan atë se ka përdorur ndikimin e tij si kryeministër nga viti 2005 deri në 2009 për të ushtruar presion “për përfundimin e procedurave të privatizimit në favor të disa personave, përfshirë burrin e vajzës së tij”. Dhëndri i tij u arrestua por si deputet Berisha ka imunitet. Ai është urdhëruar të mos largohet nga vendi. Ai i mohon akuzat. Berisha akuzon Ramën se ka orkestruar prokurorinë ndaj tij. Vetë Rama e mohon akuzën”, shkruan “Guardian”.
Në të njëjtën linjë me të është edhe “Reuters”. Ndërkohë që “Abc News” është më i drejtpërdrejtë. Në shkrim përmend edhe ndarjen e opozitës, teksa thekson se korrupsioni është problemi kryesor.
“Trazirat filluan fillimisht muajin e kaluar, dy ditë përpara se prokurorët të akuzonin Sali Berisha, ish-kryeministër dhe president, për korrupsion lidhur me një skemë të privatizimit të tokës në një terren sportiv.
Prokurorët pretendojnë se 79-vjeçari Berisha i ka dhënë favore financiare dhëndrit të tij, i cili u arrestua. Berisha ka thënë se të dy janë të pafajshëm dhe pretendon se çështja është e motivuar politikisht dhe se pas saj qëndron kundërshtari i tij, Rama. Bardhi tha se opozita do të radikalizonte protestat e saj, por nuk dha detaje. Opozita është ndarë në të paktën tre grupime që nga viti 2021 kur Berisha dhe anëtarët e familjes së tij u ndaluan nga Shtetet e Bashkuara të hyjnë në vend, dhe më vonë edhe nga Mbretëria e Bashkuar, për shkak të përfshirjes së dyshuar në korrupsion. Berisha është zyrtari i katërt i lartë shqiptar që i ndalohet hyrja në SHBA për shkak të korrupsionit. Shqipëria postkomuniste ka filluar të luftojë korrupsionin, i cili ka penguar zhvillimin e saj demokratik, ekonomik dhe social”, thekson shkrimi.
Gjykata e Apelit la sot në fuqi vendimin për Berishën, i cili po hetohet në “detyrim paraqitje”, teksa dhëndri i tij u la në “arrest shtëpie”. Duket se tani do të jetë sfida e Berishës, pasi në datën 4 dhjetor në orën 10.00 duhet të paraqitet në SPAK, pasi vendimi i Apelit është i formës së prerë. Nëse ai refuzon sërish, atëherë SPAK duhet me patjetër të marrë masa shtrënguese. /Pamfleti
Lini një Përgjigje