Mediat dhe publicistët turq të zhgënjyer me ata që premtuan se do të frenonin FETO, sidomos në Komunitetin Mysliman...
Turqit duket se janë irrituar me Edi Ramën dhe besnikët e Erdogan në Tiranë, të cilët premtonin luftë ndaj gylenistëve, por asnjëherë nuk e mbajtën fjalën. Të paktën sipas mediave turke.
Rama ishte në Turqi dhe Erdogan ja bëri të qartë se duhet të merren masa ndaj njerëzve të Fetullah Gylen. Por pak ditë më pas u mbajtën zgjedhjet në Komunitetin Mysliman dhe kreu i saj u rizgjodh Bujar Spahiu, ndonëse Ankaraja ishte kundër tij.
Të gjitha këto zhvillime duket se kanë acaruar mediat dhe publicistët turq. Një emër që ka qenë aktiv sa i takon ndikimit të asaj që ata e cilësojnë “FETO” në Shqipëri, është Ayhan Demir. Në një shkrim të pak ditëve më parë, ai ka qenë kritik mbi atë që ndodh në vendin tonë.
“Shqipëria është një aleat i rëndësishëm për Turqinë. Si Shqipëria ashtu edhe shqiptarët janë shumë të rëndësishëm për ruajtjen e ekuilibrit në rajon. Për të ruajtur efektivisht praninë e saj në Turkistanin Perëndimor (Ballkan), Turqia duhet të bashkëpunojë ngushtë me administratën e Tiranës. Por Shqipëria duhet të veprojë me frymën e 'partneritetit strategjik' në çdo hap që hedh.
Megjithatë, ka struktura dhe vende që duan të helmojnë këtë raport dhe në fund të ndërpresin komunikimin e nxehtë në linjën Ankara-Tiranë. Kryesues janë struktura shqiptare e FETO-s dhe Komuniteti Mysliman Shqiptar”, shkruan ai.
Më tej ai duket i zhgënjyer, me ata emra nga Tirana që kanë premtuar luftë ndaj FETO. Edhe pse nuk përmend emra konkret, publicisti kërkon që të mos i zihet më besë askujt.
“Ju kujtohet: Pas tentativës për grusht shteti të 15 korrikut, në Komunitetin Mysliman Shqiptar u mbajtën zgjedhjet për kreun dhe Asamblenë e Përgjithshme. Këto zgjedhje u interpretuan nga disa qarqe se Turqia po tenton të ndryshojë Presidentin dhe anëtarët e Asamblesë. Do doja të ishte kështu. Por nuk ndodhi. Ndodhi kështu: Kishte njerëz që mendonin se dinin gjithçka dhe i premtuan Ankarasë: "Do të merrem unë me këtë çështje". Madje ata shkuan një hap më tej: “Mos u shqetësoni, ajo çështje është zgjidhur”. Dëbora ra në ato male që disa njerëz u besuan. Pemët mbi të cilat mbështeteshin, rezultuan të kalbura. Ne humbëm zgjedhjet në Komunitetin Mysliman Shqiptar për shkak të këtyre njerëzve që minuan seriozitetin e çështjes. Ata që i bënë premtime të mëdha Turqisë nuk bënë asgjë për të thyer dominimin e FETO-s në KMSH. Ata që thonë “Unë do ta shpëtoj KMSH nga anëtarët e FETO-s”, as që u denjuan t'u përcillnin kërkesat e Turqisë autoriteteve shqiptare”, vijon ai.
Po ashtu, ai nuk kursen as qeverinë: “Qeveria shqiptare, e cila tashmë ka shumë fusha të përbashkëta pune me anëtarët e FETO-s, nuk e trajtoi këtë çështje. Kështu u shfrynë flluskat e premtimeve”.
Më tej, ai sulmon dhe kreun e Spitalit Amerikan, Klodian Allajbeu, duke u shprehur se ai ka ndërhyrë edhe në zgjedhjet që u mbajtën pak ditë më parë.
“Ata që e takuan dhe punuan së bashku me ‘Imamin e Shqipërisë’, Klodian Allajbeun e FETO-s, janë hedhur në aksion. Le të shohim se çfarë do të bëjnë këtë herë. Cila do të jetë lëvizja e tyre e ardhshme një milionë dollarëshe”, vijon publicisti turk.
Më tej përmendet dhe xhamia e Namsagjasë, pasi sipas tij, rrezikon të bjerë në duart e FETO. Teksa në fund ai e mbyll me një thirrje ekstreme që të “hiqen qafe” anëtarët e FETO.
Pra, duket qartë se Turqia dhe besnikët e Erdogan kapen pas faktit se anëtarët e FETO janë rrezik në raport mes dy vendeve, por që në fakt halli i tyre është se duan të fusin hundët kudo, madje dhe te KMSH. /Pamfleti
Lini një Përgjigje