TAGS-AT E JAVËS

Politike13 Dhjetor 2025, 12:24

“Tradhëti” apo kalkulim i gabuar, prapaskenat për zgjedhjen e Avokatit të Popullit

Shkruar nga Pamfleti

“Tradhëti” apo kalkulim i gabuar, prapaskenat për

Tradhtia që i atribuohet Berishës nuk lidhet vetëm me një votë, por me një model të projektimit: kjo bie ndesh me retorikën e tij dhe zhgënjeu ata qytetarë që kanë besuar te ai...

Partia Demokratike është përfshirë në një situatë debatesh dhe përplasjesh që kanë lidhje me zgjedhjen e Avokatit të Popullit. Me mbështetjen e deputetëve të PD-së, por me votat e atyre socialistë, Endri Shabani për 5 vite do të drejtojë institucionin e Avokatit të Popullit, ndërsa kjo situatë ka krijuar një revoltë të bazës demokrate ndaj deputetëve të kësaj partie.

Berisha ka nxituar të kërkojë ndjesë, ta quajë një gabim, sikundër shumë nga ligjvënësit që firmosën në mbështetje të Shabanit kanë bërë autokritikë.

Por në anën tjetër reagimi nga militantët është i ashpër, duke mos kursyer as Berishën për atë që e konsiderojnë herë si “tradhëti”, herë si pazar, ndërsa kreu demokrat e përkufizon si një ‘kalkulim të gabuar’.

Në fakt e gjitha ajo çfarë ndodhi me Avokatin e Popullit ishte një zvarritje procesi, herë nga PD dhe herë nga PS, me synimin e gjetjes së një kompromisi, që ky institucion të mbetej si propozim nga opozita. Dhe deri këtu nuk kishte asgjë të keqe, po të kihet parasysh fakti se që nga 2002, kohë kur Sali Berisha në njërën anë dhe Fatos Nano, lideri i ndjerë i socialistëve, arrinin paktin që drejtuesit e disa institucioneve të caktoheshin me konsensus, ndërsa propozimet bëheshin nga minorancat.

Por duket se këtë herë, PD e Berishës nuk donte të prishte qejf: kushdo që do të kishte një ambicie për të garuar do të mbështetej, edhe pse në mendje kishte një emër kandidati, që nuk artikulohej, dhe ruhej si “fisheku i fundit” mes morisë së emrave që nxituan të marrin mbështetje.

Koha ka treguar se emrat më të përfolur digjen, ndaj dhe bazuar në këtë eksperiencë, demokratët ruanin me fanatizëm emrin që kishin piketuar për ta çuar në zyrën e Avokatit të Popullit.

Nisur nga kjo, procesin e trajtuan thjesht si një procedurë parlamentare teknike, duke mos treguar pjekuri politike dhe as mbrojtje të parimeve që shpallën publikisht.

Në këtë kontekst, qëndrimi dhe roli i Sali Berishës perceptohen nga shumëkush si një tradhti politike, jo domosdoshmërisht ndaj një individi, por ndaj vetë parimeve që ai ka pretenduar se ka ngritur për vite me radhë. Berisha, i cili shpesh është si mbrojtës i të gjithëve, ka qenë pjesë ose nxitës i një klime ku zgjedhja e Avokatit Popullit është trajtuar më shumë si pazar politik sesa një përzgjedhje, qoftë edhe duke respektuar ato parimet që artikulon.

Tradhtia që i atribuohet Berishës nuk lidhet vetëm me një votë, por me një model të projektimit: kjo bie ndesh me retorikën e tij dhe zhgënjeu ata qytetarë që kanë besuar te ai.

Problemi nuk është vetëm te Berisha si individ, por kultura politike. Ndërsa flitet për demokracinë, Kushtetutën dhe institucionet e pavarura, praktika ka dëshmuar se synohet të shkohet drejt pazareve, ku në rastin konkret, ndoshta nuk funksionoi 100%, edhe për faktin se u mendua që emrat, të cilat as vetë PD nuk i donte nëpërkëmbë, por nuk donte as të identifikohej se po “i digjte”, t’i largonte nga gara me refuzimin, apo votat kundra të socialistëve të Edi Ramës.

Dhe me këtë logjikë, iu dha suport firmash listës së kandidatëve që u paraqitën në Komisionin e Ligjeve dhe që u kualifikuan për të kaluar në seancë. Këtu duket se filmi u ndërpre, pasi demokratët e Berishës kuptuan lojën e PS-së, që mes atyre që u servirën për tu djegur, ndodhej emri i Avokatit të ri të Popullit. Dhe natyrisht mes 5 apo 6 emrave më i pranueshmi do të ishte Endri Shabani, i mbështetur me 35 firma nga PD. 

Dhe kjo mundësi nuk do të keqpërdorej nga Edi Rama, jo thjesht për të çuar Shabanin në zyrën e Avokatit të Popullit, por për të krijuar një situatë kaosi në PD. 

Berisha këtë herë gaboi në kalkulime, ose të besuarit e tij, ia punuan pas kurrizit, duke e nxjerrë në vijën e parë të reagimeve nga baza.

Pavarësisht çdo reagimi apo sqarimi nga selia e PD, zgjedhja e Avokatit të Popullit nuk u përdhos vetëm nga mazhoranca, por u vulos nga bashkëpunimi, heshtja apo kalkulimi cinik i Berishës.

Dhe kjo është arsyeja pse shumëkush sot nuk flet për gabim politik, por për tradhti me vetëdije. /Pamfleti/

 

berisha pd avokati i popullit

Lini një Përgjigje