TAGS-AT E JAVËS

Politike12 Dhjetor 2025, 21:17

PD e mbështeti me firma Endrit Shabanin, Gaz Bardhi flet për falsifikime dhe akuzon Peleshin: Do e ndjekim penalisht

Shkruar nga Pamfleti
PD e mbështeti me firma Endrit Shabanin, Gaz Bardhi flet për
Gazment Bardhi, kreu i Grupit Parlamentar të PD

Kuvendi miratoi me 85 vota pro, në seancën e së enjtes, Endrit Shabanin si Avokatin e Popullit. Shabani hyri si kandidat në garën për Avokat të Popullit me firmat mbështetëse të deputetëve të PD-së, moment që duket se është shfrytëzuar nga mazhoranca socialiste për ta mbështetur. E gjithë lëvizja e PD doli një blof në raport me deklaratat publike të Sali Berishës dhe ka krijuar një tjetër kaos në partinë më të madhe të opozitës.

E ndërsa Berisha kërkon ndjesë, bashkë me disa nga deputetët firmëtarë, Gazment Bardhi me cilësinë e Kryetarit të Grupit Parlamentar, ka zgjedhur të akuzojë Kryeparlamentarin Niko Peleshi për falsifikim të akteve parlamentare.

Në një postim në rrjetet sociale, Bardhi shkruan se “Niko Peleshi i paraqiti dje Kuvendit të Shqipërisë për votim si kandidat të rrejshëm për Avokat të Popullit një njeri që nuk kishte mbështetjen me firmë të vlefshme të asnjë deputeti të vetëm, jo më të 28 deputetëve siç ligji kërkon për hedhjen në votim”.

Pavarësisht se Shabani kishte arritur të siguronte firmat e 35 deputetëve të PD-së, duke u paraqitur si kandidat dhe duke realizuar edhe seancën dëgjimore në Komisionin e Ligjeve, Bardhi pretendon se “Peleshi, duke shpërdoruar detyrën, , përmbushi ambicien e sëmurë të Edi Ramës për të kapur çdo pushtet, përfshirë institucionin e fundit kushtetues që nuk ishte nën kontrollin e qeverisë.

“Kryetari i Kuvendit ka tejkaluar çdo limit, duke keqpërdorur firmat e deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë që ishin tërhequr nga propozimi i projektvendimit përkatës. Askush nuk mund të përdorë jashtë vullnetit të tyre nënshkrimet/propozimet e deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë.

Për këtë arsye sot, kam autorizuar menjëherë ekipin ligjor të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike që të përgatisë kallëzim penal për “shpërdorim detyre” dhe “falsifikim të dokumenteve” parlamentare në bashkëpunim për Kryetarin e Kuvendit Niko Peleshin, dhe çdokënd tjetër që ka rol në këtë akt të paprecedent të Kuvendit. Ndërkohë që do të kërkoj nga grupi parlamentar autorizimin përkatës për t’iu drejtuar Gjykatës Kushtetuese për të verifikuar zgjedhjen e Avokatit të Popullit përmes një procedure parlamentare tërësisht të paligjshme.

Grupi Parlamentar i PD ka qenë dhe mbetet i vendosur që zgjedhja e organeve kushtetuese duhet të bëhet sipas një procedure transparente, gjithëpërfshirëse dhe që garanton pavarësinë e këtyre institucioneve, sikurse Raport Progresi i Komisionit Europian nënvizon. Vetëm kështu Shqipëria është në rrugën e duhur drejt Bashkimit Europian. Përndryshe provohet se kemi kaluar edhe zyrtarisht në një parti-shtet!”, shkruan Bardhi.

bardhi pd shabani peleshi

Lini një Përgjigje