TAGS-AT E JAVËS

Politike14 Korrik 2025, 11:25

Thethi dhe dhitë e Marjanës

Shkruar nga Pamfleti
Thethi dhe dhitë e Marjanës
Dhitë e Marjanës /

Në fillim të çdo fushate, Edi Rama del si drejtori artistik i kombit dhe na shfaq "modelet" të politikës. Janë zakonisht gra të reja, të kuruara, të heshtura, të bindura, perfekte për një parlament që nuk ka nevojë për përfaqësim, por për dekor. Quhen Sara, Marjana, Rita, emra që nuk prishin ekuilibrin e ekranit. Iu thotë: “Do jeni zëri i njerëzve”, dhe ato japin intervistën e parë me një buzëqeshje më të ndritshme se çdo projekt buxhetor.

Por sapo hyjnë në Kuvend, ndodh mrekullia shqiptare: heshtin!

Një heshtje prej modelesh që kanë kaluar çdo test lojaliteti. Dhe ja ku vjen momenti: përplasja publike Rama– Prokurori për ndërtimet në Theth. Në kulmin e sezonit turistik, në zonën simbol të Alpeve Shqiptare, në sytë e të gjithë botës, kreu i qeverisë sulmon publikisht një prokurore, ndërsa deputetja e Dukagjinit, që dikur na u shfaq si simbol i rilindjes nga veriu është zhdukur më shpejt se rrjedha e Cemit në muaj të thatë. Asnjë fjalë. Asnjë reagim. Vetëm grim dhe heshtje.

Po ç’të thotë vajza që e zgjodhi Rama për listën e Shkodrës?

Ajo nuk është aty për të folur. Është aty për të mos prishur punë. Është aty për të mos mërzitur liderin, për të mos parë majtas a djathtas, për të mos hapur krahët kur digjen Alpet e Shqipërisë nga arroganca e pushtetit.

Sepse modeli i ri politik është i qartë: femra që hesht bukur, që shfaqet në ndonjë panel vetëm për të lexuar atë që ka shkruar zyra e kryeministrit. Dhe kur vjen një krizë institucionale si ajo në Theth, heshtja e saj bëhet krim me buzëkuq.

Kjo është arsyeja pse listat e Ramës janë të mbyllura; jo vetëm në emra, por edhe në ide. Nuk ka vend për mendime, për përfaqësim, për debat. Ka vend vetëm për heshtje me rrogë dhe selfie me dekor.

Ndaj Shqipëria është sot aty ku është: me një drejtësi që sulmohet publikisht, me një popull që zhgënjehet përditë, me një turizëm që shitet si kartolinë dhe një përfaqësim që është thjesht photoshop institucional. Dhe gratë e reja në politikë? Janë aty, diku mes ndonjë story-je dhe një fjalimi të përgatitur, duke heshtur bukur, ndërsa Shqipëria zhurmon nga brenda./Pamfleti

dhitë e marjanës thethi

Lini një Përgjigje