
Nënkryetari i Kuvendit dhe deputeti i Partisë Demokratike, Agron Gjekmarkaj, ka kundërshtuar në mbledhjen e Konferencës së Kryetarëve nismën e socialistëve për ngritjen e një komisioni për dezinformimin, nismë e cila tanimë ka shkuar në Kuvend për miratim.
Sipas tij, kjo nismë ka shumë pikëpyetje të cilat të bëjnë të mësosh se ky komision do të përdoret për të kontrolluar mediat online.
Gjekmarkaj shtoi se duke qenë se mediat online janë të vetmet që kryeministri nuk ka mundur t’i kontrollojë, do të krijojë këtë mjet auto censure.
Ai theksoi se nuk ka informacion për influencën ruse në vend dhe se organet kompetente nuk ka nxjerrë ndonjë informacion se ndonjë nga mediat në vendin tonë ka lidhje ruse. Sipas Gjekmarkajt kjo është një lëvizje e rrezikshme e cila bëhet në emër të demokracisë dhe në dëm të saj njëkohësisht.
Fjala e plotë e Gjekmarkajt:
Në optiken time Komisioni i posaçëm ndër të tjera ka si objektiv spostimin e vëmendjes nga retorika politike e momentit! Por e marrim si të mirëqenë sikur nuk është ky problemi. Deri sot nuk kemi një raport një analize nga agjencitë ligj zbatuese sa, si e ku është bërë kjo ndërhyrje në vendin tonë! Ne kemi disa agjenci qe kanë detyrimin të na informojnë. Nuk do donim që ky pretekst në emër të “mbrojtjes se demokracisë” të shndërrohet në kufizues i demokracisë! Ne dimë plot raste që sulmet e demokracive u vinë duke përdorur terma e fjalor demokratik. Madje vetë liria është vënë në rrezik nga ata që marrin në gojë si çamçakëz “mbrojtjen e lirisë”. Po ka vende si Çekia që janë sulmuar nga propaganda ruse!
Nëse ndodh në vendin tonë kemi të drejtë ta dimë, ku sa si?! Por të tilla situata mbi të cilat mund të mbajmë leksione të gjata me sigurinë, vlerat vetë thelbin e demokracisë të përdoren për të kufizuar lirinë e medias. Ka patur një tentative nga kjo qeveri për të bërë një “pakete antishpifje”, e cila u kritikua ashpër nga institucione e organizata ndërkombëtare.
Pastaj nën ketë presion u la. Gjithashtu ka plot të dhëna se si kjo qeveri ka kontroll mbi shume media kombëtare! Ato që më së shumti janë jashtë kontrollit të saj janë mediat online për të cilat mund të shfrytëzohet rasti që të vihet mbi to mekanizmi i auto censurës në vit elektoral. Mjaft mirë kujtojmë konceptin e “kazanit” dhe termat fyes për gazetarët të përdorur nga Kryeministri i vendit.
Disa media janë goditur drejtpërdrejt ne vendin tone. Dua t’ju kujtoj se në emër të demokracisë dhe reformave për njëzet vite ne Turqi është sulmuar opozita, mediat, ushtria, elitat, gazetat e gazetarët aq sa u krijua përshtypja e triumfit të autokracisë por shoqëria reagoi nuk u thye nuk u mposht duke rikthyer në skenë Opozitën si fituese. Ne nuk jemi kundër asgjëje qe shton sigurinë në bashkëpunim me aleatët tanë, por kemi të drejtë të kemi informacion dhe kohë. Ne nuk hezitojmë të bashkëpunojmë së bashku për të mirën e përbashkët po ju nuk mund të na vini përballë faktit të kryer për të poshtëruar opozitën dhe nxjerrë atë në dritë të keqe!
Lini një Përgjigje