TAGS-AT E JAVËS

Politike 6 Qershor 2024, 20:24

SPAK terrorizon politikën, ministra, deputetë dhe zyrtarë asgjësojnë mesazhet telefonike; Meta-Kryemadhi më të tremburit

Shkruar nga Pamfleti
SPAK terrorizon politikën, ministra, deputetë dhe zyrtarë
Panik nga përgjimet e SPAK

Kryemadhi pranon se ajo dhe Meta kanë aktivizuar tek telefonat e tyre sistemin që fshin çdo lloj mesazhi...

Prokuroria e Posaçme dhe Byroja e Hetimit kanë futur në panik gjithë politikën. Pjesa më e madhe e atyre që sot dergjen dyerve të SPAK janë fundosur nga telefonat celularë dhe përgjimet, për këtë arsye thuajse gjithë politika ka filluar të tregohet shumë e kujdesshme.

Ndonëse me ligj ministrat dhe deputetët nuk mund të përgjohen, sërish të gjithë janë në panik dhe po tregohen të kujdesshëm, nga frika se mund të bien në rrjetën e SPAK me forma të tjera, siç ra Kryemadhi. Kjo e fundit ka mandatin e deputetit, por BKH i bëri kontroll banesës së nënës së saj dhe aty gjeti një celular të Kryemadhit, ku thuhet se janë nxjerrë “perla”. I njëjti precedent ndodhi dhe te Ahmetaj, pasi u gjet një telefon i vjetër në shtëpinë e ish-bashkëshortes.

Kjo ka bërë që pushtetarët të aktivizojnë në celularët e tyre fshirje automatike të programeve. Pothuajse çdo deputet, ministër, drejtor, zyrtar në 'Whats App' kanë aktivizuar sistemin që asgjëson mesazhet pas një periudhe kohe të caktuar. Edhe në platformat e tjera ndodh e njëjtën gjë, ku çdo mesazh fshihet. Po ashtu shumica përdorin platformat “Telegram” dhe “Signal”, me idenë se nuk përgjohen.

Por më të frikësuarit janë padyshim Ilir Meta dhe Monika Kryemadhi. Vetë Meta e bëri hasha gruan nga frika se në selinë e PL i kishin vënë përgjues. Por ishte vetë Kryemadhi që në një emision këtë javë, e pranoi se ata kanë aktivizuar tek telefonat e tyre sistemin që fshin çdo lloj mesazhi. Duket qartë frika që i ka kapur të gjithë.


Vetë SPAK në raportin vjetor të viti 2023 bën me dije se janë sekuestruar në total 407 telefona celularë dhe aty janë gjetur mesazhe, foto e prova të tjera komprometuese.

Gjatë vitit 2023, në Sektorin e Ekspertizës janë pranuar 345 vendime ekspertimi për ekzaminim provash digjitale me 623 prova në total dhe konkretisht 407 telefona celularë, 76 kompjutera, 19 DVR dhe 121 prova të tjera digjitale (hard disqe, USB, video-regjistrues, tableta, karta memorie, CD/DVD, etj.). Gjatë vitit 2023 nga ekspertët e këtij sektori janë realizuar 261 akte ekspertimi, ku janë ekzaminuar 453 prova digjitale në total dhe konkretisht 321 telefona celularë, 37 kompjutera, 20 DVR dhe 75 prova të tjera digjitale (si hard disqe, USB, regjistrues, tableta, karta memorie, CD/DVD, etj.) Për vitin 2023 janë realizuar 5 akte ekspertimi më shumë se viti 2022 si dhe 226 akte më shumë se viti 2021”, thekson raporti.

Lini një Përgjigje