TAGS-AT E JAVËS

Politike 9 Gusht 2023, 13:53

SPAK të hetojë edhe krimin me kullën e “Gimes së Redbullit” që rrafshoi Muzeun e Shkencave

Shkruar nga Pamfleti
SPAK të hetojë edhe krimin me kullën e “Gimes së
Godina në formë G (Gimja i redbullit)

Gjersa u rrafshua Muzeu i Shkencave me letra e pronarë që nuk ishin pronarë, është hapur rruga që mund të rrafshohet Presidenca, Parlamenti, Kryeministria, Pallati i Kulturës, Korpusi i Universitetit, Gjykata e Lartë dhe godinat e ministrive dhe të ndërtohen kulla nga klientët e sundimtarëve ortakë të politikës, me miliardat e korrupsionit dhe trafiqeve...

Janë lojëra, akuzat për kullën te Pallati i Kulturës, duke mos përmendur emrin e pronarit Agim Zeqo, ose siç njihet ndryshe “Gimi i Redbullit”, por të maskave që përdor ai, për të fshehur biznesin mafioz të ndërtimit e pastrimit të parave, të cilët kanë lidhje dhe me politikanë majtas e djathtas.
Ligjërisht, këto akuza për kullën te Pallati i Kulturës i zbardh vetëm SPAK, sepse pronari i saj që ka nisur të shkatërrojë lulishten në qendër të Tiranës, është Gimi i Redbullit që shkatërroi dhe Muzeun e Shkencave të Natyrës, po nën maskën e firmës “Nova Construction 2012”.
Faktet dëshmojnë, se dhe për skenarin e shkatërrimit të ish-Muzeut të Shkencave të Natyrës me sipërfaqe 5100 m2 dhe ndërtimit të kompleks kullës së kuqe “Garden Building” me 24 kate, Gimi i Redbullit e filloi me pushtetin e Sali Berishës dhe e finalizoi me pushtetin e Edi Ramës.
Shkencëtarët që derdhën lotë kur u rrafshua muzeu, tregojnë historinë e asaj pasurie shkencore të rrallë në Ballkan, ndërsa SPAK duhet të hetojë historikun e krimit që u bë me shkatërrimin e muzeut dhe të çojë para drejtësisë ata që i hapën rrugë kullës së Gimit të Redbullit.
Faktet janë në dosjet e qeverisë, të Ministrisë së Arsimit, Komisionit të kthimit të Pronave, Gjykatës së Faktit e Gjykatës së Apelit Tiranë, të Gjykatës së Lartë e Këshillit Kombëtar të Territorit me Kryetar Edi Ramën, që dha lejen e ndërtimit brenda 72 orësh nga kërkesa e firmës “Nova Construction 2012” në pronësi “de facto” të Agim Zeqos.

SPAK të hetojë edhe krimin me kullën e “Gimes së
Agim Zeqo ose Gimja e Redbullit

SPAK duhet të hetojë falsifikimin dhe krimin pronësor bërë nga Komisioni i Pronave nr. 419, datë 09.11.2000, që i ktheu ish-pronarëve godinën dhe oborrin e Muzeut të Shkencave të Natyrës, kur kjo pasuri, atyre u është shpronësuar financiarisht me blerje nga shteti, me Vendim Qeverie Nr. 1521, datës 2 shtator 1940 dhe nuk kishin asnjë të drejtë pronësie mbi këtë pasuri (Fletore Zyrtare nr.144, datë 14 Shtator 1940).
SPAK, t’i referohet vendimit të Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, e cila vendosi që ndërtesa dhe oborri i Muzeut të Shkencave të Natyrës, të mos u kthehet pronarëve fizikisht, por të vazhdojë aktivitetin shkencor universitar.
Ndërsa ish-pronarët, të ri konfirmojnë me vendim gjyqësor që ishin pronarë të ndërtesës e truallit 5100 m2, dhe pastaj të kërkonin kompensim fizik apo financiar nga shteti, në bazë të Ligjit nr.7698, datë 15 prill1993, mbasi Muzeu ishte në funksion arsimor publik.
Mbi këtë ligj u mbështet gjykata e shkallës së parë, që përcakton taksativisht këtë zgjidhje: - "Kur ndërtesat dhe oborret pjesë e tyre janë blerë nga shteti në çdo kohë qoftë, janë pronë e shtetit”.
Edhe kur objektet u njihen ish-pronarëve, por janë në përdorim për shërbime publike, nuk u kthehen por u kompensohen fizikisht ose financiarisht. Por është dhe ky përcaktim: 3 vite pas njohjes së pronës, pronarët kanë të drejtë të kërkojnë blerjen, dhe shteti mund t’ua japi nëse objekti nuk përdoret më për interesa publike.
SPAK të hetojë këtë fakt: Muzeu i Shkencave, jo vetëm që ishte 100% pronë shtetërore si truall e ndërtesë qysh prej vitit 1940, por ishte në funksion të plotë si qendër universitare e shkencore, dhe iu dha Gim Redbullit për kullë.


SPAK e vërteton lehtësisht, që ky krim pronësor që shkatërroi një pasuri të madhe shkencore, vazhdoi nga qeveria Sali Berishës, nga xhambazët e Gjykatës së Apelit Tiranë dhe të Gjykatës së Lartë që vendosën për rrafshimin e muzeut të shkencave, ndërsa Gjykata Kushtetuese nuk e pranoi ankesën e profesorëve, duke mbështetur ndërtuesin e kullës.
Kurse Edi Rama, më 7 maj 2009, gjatë fushatës elektorale shkoi me një grup profesorësh te Muzeu i Shkencave të Natyrës, ku deklaroi: - Do marrin përgjigjen e merituar ligjore falsifikatorët gjoja pronarë, ndërtuesit dhe horrat e qeverisë e të gjykatave që kryen këtë krim ndaj kësaj pasurie të vyer kombëtare. Ne nuk do lejojmë, që arsimit e shkencës, t’i zhduket kjo pasuri e krijuar ndër breza që u duhet brezave të ardhshëm.
Ndërsa më 11 nëntor 2017, brenda 72 orëve, i dha lejen e ndërtimit kullës monstër betoni “Garden Building” të Gimit të Redbullit, që me lejen e Bablokut ka filluar të do ndërtojë dhe kullën prapa Pallatit të Kulturës.
Gjersa u rrafshua Muzeu i Shkencave me letra e pronarë që nuk ishin pronarë, është hapur rruga që mund të rrafshohet Presidenca, Parlamenti, Kryeministria, Pallati i Kulturës, Korpusi i Universitetit, Gjykata e Lartë dhe godinat e ministrive dhe të ndërtohen kulla nga klientët e sundimtarëve ortakë të politikës, me miliardat e korrupsionit dhe trafikantëve./Pamfleti

gimja i redbullit muzeu i shkencave kulla spak

Lini një Përgjigje