Teksa nuk kanë kaluar vetëm pak kohë pas shkarkimit dhe më pas të arrestimit të efektivitit të Gardës së Republikës Martin Nikolla, shoferit të kryetares së Kuvendit Lindita Nikolla, i cili u përfshi në sherrin banal në Hamallaj të Durrësit duke përdorur dhe armën e shërbimit, vijojnë sërish bëmat e efektivëve të këtij reparti.
Mbrëmjen e djeshme është goditur një tjetër rast i armëmbajtjes pa leje nga një punonjës i Gardës.
32-vjeçarin Kristjan Gjini, akuzohet se lëvizte me armë pa leje, ndërkohë që përjashtimi i tij është firmosur menjëherë nga Drejtori i Përgjithshëm i Gardës së Republikës.
Lidhur me këtë rast dhe ministri i Brendshëm Taulant Balla u detyrua të reagojë sërish për efektivët problematikë.
Përmes rrjeteve sociale, Balla shprehet se ky fenomen po goditet nga policia çdo ditë.
“Armëmbajtja pa leje po goditet çdo ditë. Do të bëjmë gjithçka, me më shumë angazhim sesa më parë, që ky karshillëk i hapur ndaj ligjit dhe shoqërisë sonë të luftohet nga Policia e Shtetit me vendosmëri, çdo ditë. Në të gjithë territorin e vendit, Policia e Shtetit po organizon dhe realizon goditje të përditshme ndaj këtij fenomeni.
Ndalimi gjatë natës së mbrëmshme i një oficeri të Gardës së Republikës, për armëmbajtje pa leje, tashmë i arrestuar dhe i përjashtuar menjëherë nga radhët e Gardës, konfirmon qartë angazhimin se në rrjetën e forcës së ligjit do të bien të gjithë shkelësit.
Gjithashtu gjatë operacioneve kundër armëmbajtjes pa leje Policia e Shtetit ka arritur të parandalojë në kohën e duhur një ngjarje të rëndë kriminale. Jam i sigurtë se kam mbështetjen e qytetarëve në goditjen e këtij fenomeni, por kërkoj gjithashtu edhe mirëkuptimin dhe bashkëpunimin tuaj, të dashur qytetarë, përgjatë kontrolleve të policisë, të cilat do të jenë të shpeshta.”, shkruan ministri Balla.
Lini një Përgjigje