Fletë votimi dhe plumba
Formacionet rebele ruse pro-ukrainase që po luftojnë përtej kufirit të përbashkët midis dy vendeve ndërluftuese, duan që operacionet në vazhdim të nxitin një kryengritje kundër presidentit Vladimir Putin. Kështu shprehet nga një vullnetarët në këtë formacion paraushtarak.
Legjioni i Lirisë së Rusisë, Batalioni Siberian dhe Korpusi Vullnetar Rus (RDK) - që të gjitha grupet paraushtarake vullnetare që veprojnë nën ombrellën e ushtrisë ukrainase - nisën këtë të martë një sulm të dyfishtë në rajonet ruse të Belgorodit dhe Kurskut.
Në mesin e luftimeve të ashpra, Alexei Baranovsky - një vullnetar i Legjionit të Lirisë së Rusisë, që njihet me nofkën “Lutik” - thotë për Neësëeek se luftëtarët rebelë synojnë që një ditë të marshojnë drejt Moskës. “Qëllimi ynë është çlirimi i Rusisë nga Putin. Ne mund të mos jemi në gjendje ta arrijmë atë tani për tani, por ky është misioni ynë kryesor”- shton ai.

Sulmet e fundit ndërkufitare ndodhën ndërsa Putin po përgatitet për zgjedhjet presidenciale të kësaj fundjave, një garë e menaxhuar me kujdes dhe të cilën ai është i sigurt se do ta fitojë. Votimi do të mbahet edhe në zonat e Ukrainës të pushtuara nga forcat e Moskës që nga fillimi i pushtimit të tyre në shkallë të plotë në shkurt 2022.
Baranovsky deklaron se operacioni i fundit është planifikuar qëllimisht në kuadër të këtyre zgjedhjeve. “Ne mund të mos jemi në gjendje t'i ndalojmë zgjedhjet federale. Por mund të prishim procesin në rajone të veçanta. Ndaj po bëjmë atë që mundemi duke sjellë këtë 'aromë lirie' të paktën në disa pjesë të vendit”- shpjegon ai.
Ai i cilëson zgjedhjet e fundit si “hapin e fundit të Putinit për të uzurpuar plotësisht pushtetin”. Ministria e Mbrojtjes e Rusisë raportoi disa sulme nga “grupet terroriste ukrainase” në 3 zona përgjatë kufirit, duke shtuar se të gjitha sulmet u zmbrapsën.
Fletë votimi dhe plumba
Ri-kurorëzimi i Putinit në krye të Rusisë nuk do të jetë ndonjë befasi. Megjithatë do të përfaqësojë një goditje tjetër të rëndë për lëvizjen opozitare ruse e cila ndodhe në një situatë shumë të vështirë. Kremlini e ka përdorur luftën e tij kundër Ukrainës për të shtypur më tej publikun dhe shoqërinë civile ruse, duke shmangur çdo lloj kundërshtimi të mundshëm.
Vdekja e liderit jozyrtar të opozitës Alexei Navalny në një burg të sigurisë së lartë në Arktik në shkurt, shërbeu si një kujtesë e zymtë e fatit që i pret rusët e guximshëm që rezistojnë hapur ndaj sundimit të Putinit. Zhanna Nemtsova, vajza e politikanit të vrarë anti-Putin, Boris Nemtsov, tha për Newsweek menjëherë pasi u njoftua vdekja e Navalny se aktivistët rusë pro-demokracisë janë “një specie afër zhdukjes”.
Baranovsky thotë se formacionet rebele duan që të rigjallërojnë opozitën e brendshme e cila është për momentin e terrorizuar. “Si qytetarë të Rusisë, ne vendosëm që të marrim pjesë në këto zgjedhje, dhe kjo është mënyra jonë për të ngritur zërin. Ne po votojmë për një rezistencë të armatosur ndaj regjimit të Putinit, për një kryengritje, një revolucion”- shton ai.
Luftëtari thekson se po e udhëheqin opozitën përmes shembullit, duke iu thënë atyre se nuk janë vetëm, duke u treguar atyre se ka njerëz të gatshëm për të luftuar, jo vetëm duke ndezur elektrikët e dorës dhe drejtuar (një referencë për një nga mënyrat e protestës së grupeve të opozitës) por duke përdorur armë, me armë, granata dhe mjete të blinduara, nga të cilat ne kemi mjaft.
“Dhe ne u bëjmë thirrje të gjithëve që të bashkohen me ne në këtë luftë kundër Putinit”- thotë ai. Operacioni në vazhdim është më ambicioz për luftëtarët rusë që tani janë besnikë ndaj Kievit. “Ndërsa kemi kryer disa operacione të përbashkëta në Belgorod, dhe disa të tjera veçmas, është e vërtetë që sot formuam për herë të parë një front të vërtetë të bashkuar”- tha Baranovsky, duke iu referuar koordinimit të Legjionit me dy formacionet e tjera.
“Me këtë akt, po i tregojmë edhe opozitës së fragmentuar ruse se është e mundur të bashkohemi. Në fakt, ne jemi opozita e vërtetë ruse. Ky shënon një moment historik të ri
për lëvizjen e rezistencës, dhe në muajt e ardhshëm ne do të vazhdojmë t'i vendosim vetes qëllime më komplekse për misionet tona, ndaj shpresojmë se një ditë do të arrijmë kryesoren: shkatërrimi i Putinit dhe regjimit të tij”- përfundon ai.

“Një ushtri vrasësish”
Sulmet e kësaj jave nuk janë të parat. Ato kanë vazhduan që nga viti 2023. Një fushatë disa ditore në maj të vitit të kaluar, detyroi evakuimin e mijëra rusëve nga rajoni kufitar dhe dërgimin e përforcimeve ushtarake. Të dyja palët duket se e kanë të qartë se çfarë mund të bëjë tjetra.
“Mënyrat e tyre nuk janë veçanërisht befasuese për ne. Ne i kemi parë metodat e tyre të ‘mishit për top’ në Bakhmut dhe Avdiivka. Kjo është e vetmja strategji ushtarake që kanë. Ndaj nëse vepron me zgjuarsie dhe planifikimi paraprak, mund t'i kapësh në befasi.
Strategjia tjetër e tyre është që të qëllojnë pa dallim, me shpresën e një goditjeje fatlume ndaj armikut. Kjo përfshin edhe zonat civile. Ata nuk i kursyen civilët në Ukrainë dhe tani nuk po kursejnë as rusët. Pra, nëse ata mendojnë se trupat tona ndodhen në ndonjë fshat në Belgorod, ata do të fillojnë të qëllojnë kundër nesh me granatahedhës dhe artileri, edhe pasi të jemi larguar prej kohësh nga aty. Është një strategji vdekjeprurëse nga një ushtri vrasësish. Dhe ndaj këtyre jemi duke luftuar”- nënvizon Baranovsky.
Pjesëtari i njësisë paraushtarake rebele thotë se kriteri kryesor i të pasur sukses është minimizimi i humbjeve. “Ne nuk jemi 'mishi për top' i Putinit. Ne e vlerësojmë jetën e çdo luftëtari të vetëm, ndaj të gjitha operacionet janë planifikuar dhe të ekzekutuara shumë mirë. Në dallim nga sa mund të thuhet në kanalet ruse të platformës Telegram, deri më tani, ne nuk kemi pasur asnjë humbje në operacionet që kemi kryer”- përfundon Baranovsky./Përshtati Pamfleti nga “Newsweek”
Lini një Përgjigje