
Komisioni Parlamentar për Çështjet Ligjore dhe Administratën Publike ka shpallur sot për herë të dytë vakancën për pozicionin e Avokatit të Popullit, duke hapur një afat 20-ditor për dorëzimin e dokumentacionit nga kandidatët e interesuar. Vendimi u mor vetëm me votat e deputetëve të Partisë Socialiste, ndërsa 5 përfaqësuesit e opozitës bojkotuan procesin, duke e cilësuar atë të paligjshëm dhe politikisht të motivuar.
Sipas opozitës, nuk ka nevojë për një shpallje të re, pasi vakanca është shpallur që në legjislaturën e kaluar dhe procedura duhet të vazhdonte aty ku kishte mbetur. Në atë seancë, PD kishte kërkuar futjen urgjente në rendin e ditës të votimit për emërimin e Avokatit të ri të Popullit, duke propozuar kandidaturën e Besim Ndregjonit. Kërkesa u injorua nga mazhoranca dhe çështja mbeti pezull.
Kryetari i Komisionit të Ligjeve, Ulsi Manja, hodhi poshtë pretendimet e opozitës, duke thënë se firmat e mbështetjes së kandidaturave të mëparshme janë të pavlefshme, pasi disa nga deputetët e legjislaturës së kaluar nuk janë më pjesë e Kuvendit. Sipas tij, kjo e bën të domosdoshme nisjen nga e para të procesit.
Nga ana tjetër, ky qëndrim interpretohet si përpjekje për të kontrolluar emërimin e një figure institucionale që duhet të jetë mbi palët dhe garant i të drejtave të qytetarëve. Kujtojmë se Erinda Balanca e ka përfunduar mandatin që në maj 2022, por ka vazhduar të mbajë detyrën për më shumë se tre vite për shkak të mungesës së një zëvendësuesi të dakordësuar.
Përveç shpalljes së vakancës për Avokatin e Popullit, komisioni miratoi me 13 vota edhe hapjen e procedurës për plotësimin e vakancës në Komisionin për Mbikëqyrjen e Shërbimit Civil. Opozita e konsideron këtë një tjetër provë se mazhoranca po uzurpon institucionet përmes kontrollit të procedurave dhe përjashtimit të zërave kundër.
Lini një Përgjigje