
Anëtari i Kryesisë së PD, Belind Këlliçi denoncoi Bashkinë e Tiranës, për situatën në varrezat e Tufinës.
Këlliçi tha se në institucionin ku do të duhej të zgjidheshin problemet e qytetarëve, sot jemi të skandalizuar nga një ngjarje makabre.
“Ky institucion për fatin tonë të keq, tashmë është kthyer në strofkullën e lajmeve të errëta e këtë radhë të kobshme.
Në institucionin ku do të duhej të zgjidheshin hallet dhe problemet e rreth gjysmës së popullsisë së Shqipërisë, jo vetëm që qytetarët vidhen në mënyrë sistematike, por sot jemi të skandalizuar nga një ngjarje makabre, e cila është në kufijtë e krimeve kundër njerëzimit.
Krimi i radhës në Bashkinë Tiranë, nuk ka të bëjë këtë herë me të gjallët, por me ata të cilët janë larguar nga kjo botë”, ka thënë Këlliçi.
Sipas tij pamjet janë të denja për filma horror.
“Kjo barbari, ky dhunim monstruoz i dinjitetit njerëzor, e çon Bashkinë Tiranë në një tjetër podium, nga institucioni më i korruptuar në Europë, tashmë në institucionin më barbar të Europës!
Përgjatë gjithë historisë, mënyra se si të ikurit nga kjo botë trajtohen, shpesh ka dëshmuar gradën e civilizimit të shoqërisë.
Ajo ç’ka pamë nga investigimi i programit “Piranja”, është një krim makabër, mohimi i të cilit paturpësisht shton neverinë ndaj mungesës së humanizmit dhe shkeljes së ligjeve të shkruara e të pashkruara.
Keqtrajtimi, që u bëhet trupave të vdekur, të hershëm a të vonë, shkakton një revoltë, që nis nga thellësia e psiqikës sonë, sepse shkon kundër pritshmërisë thelbësore të qytetarisë për të trajtuar të vdekurit me respekt, nder e dinjitet.
Nuk ka fjalë të cilat mundet të justifikojnë mosveprimin e organeve ligjzbatuese në këtë rast. Partia Demokratike do të kallëzoje në SPAK sërish këtë javë Erion Veliajn, pasi nga sa përcaktohet në ligj, zhvarrimet bëhen me lejen e Kryetarit të Bashkisë dhe depozitimi bëhet në një ndërtesë specifike”, ka thënë Këlliçi në një deklaratë për mediat.
Lini një Përgjigje