TAGS-AT E JAVËS

Politike21 Qershor 2024, 13:35

Si po e humbin Aleatët durimin me Volodymyr Zelenskyn

Shkruar nga Owen Matthews

Si po e humbin Aleatët durimin me Volodymyr Zelenskyn

Pas dështimit të samitit të Zvicrës kërkojnë një kompromis Kiev-Moskë

Samiti Global i Paqes i Volodymyr Zelensky në Zvicër, synonte të tregonte mbështetjen e botës për Kievin, si dhe ta vinte theksin tek izolimi i Rusisë. Në fakt bëri të kundërtën. Rusia nuk ishte e ftuar. Kina as denjoi të dërgonte ndonjë delegacion. Ndërsa vende të tjera të mëdha që mund të ndikojnë tek Kremlini- përfshirë Brazilin, Indinë, Arabinë Saudite, Afrikën e Jugut dhe Emiratet e Bashkuara Arabe - refuzuan të nënshkruajnë deklaratën përfundimtare, pavarësisht se ishte hartuar enkas shumë e moderuar.

Sipas një ish-anëtari të lartë të administratës së Zelensky-t, udhëheqësi i Ukrainës shpresonte se “konferenca do të shënonte një pikë referimi të re të mbështetjes ndërkombëtare...por ajo vetëm sa nëatregoi se sa shumë e kemi humbur mbështetjen në Jugun Global”. Marrim rastin e presidentin e Brazilit, Lula da Silva.

Ai ishte një nga liderët e parë botërorë që dënoi pushtimin e Rusisë, por në Zvicër akuzoi si Vladimir Putinin ashtu dhe Zelensky-n se “po u shijonte lufta... përndryshe do të ishin ulur tashmë për të biseduar, në përpjekje për të gjetur një zgjidhje paqësore”. Vetëm SHBA dhe BE-ja e mbështetën pa mëdyshje Zelenskyn.

Megjithëse Kremlini pëlqen të pretendojë të kundërtën, mbështetja në rënie ndaj Ukrainës ka pak të bëjë me ofensivën propagandistike të Putinit. Të gjithë fqinjët më të afërt të Rusisë, përveç Bjellorusisë, janë distancuar nga Moska. Rusia i ka thelluar lidhjet vetëm me Iranin dhe Korenë e Veriut - të cilën Putin e vizitoi këtë javë - dhe me Kinën, e cila i ka ofruar mbështetje diplomatike, por jo pajisje ushtarake.

Përkundrazi, praktikisht për çdo vend dhe bllok global, interesi vetjak ekonomik dhe strategjik është dominues mbi çdo gjë tjetër. BE-ja është vënë në krye të fushatës së sanksioneve ndaj Rusisë. Megjithatë nuk e ka ndaluar blerjen e naftës ruse, por vetëm e ka kufizuar çmimin e saj në 60 dollarë për fuçi në vend të 73 dollarëve.

Nga ana tjetër, Evropa nuk e ka sanksionuar asnjëherë gazin rus. Ajo vazhdon të importojë 15 për qind të gazit të saj natyror, nga të cilat 8 për qind transportohet nga Rusia nëpërmjet Ukrainës dhe Sllovakisë. Gazprom pagoi vitin e kaluar 850 milionë dollarë tarifa tranziti ndaj Ukrainës, ose rreth 0.46 për qind e PBB-së së Kievit, duke e bërë Kremlinin një nga taksapaguesit më të mëdhenj në Ukrainë.

Vetëm 8 për qind e firmave të BE-së janë larguar plotësisht nga Rusia. Diplomatët e lartë amerikanë, vazhdojnë ta pengojnë Ukrainën të përdorë armatimet me rreze të gjatë brenda Rusisë (me përjashtim të bazave të lëshimit të raketave). Kohët e fundit Kievit iu kërkua të ndalte sulmin ndaj rafinerive ruse të naftës, nga frika se mos shkaktonte një krizë në këtë sektor. Ndërkohë, Donald Trump deklaroi së fundmi se do të vendoste veton kundër ndihmës shtesë për Ukrainën. “Zelensky është ndoshta tregtari më i madh nga të gjithë politikanët e sotëm. Sa herë që vjen në vendin tonë, arrin t’i marrë 60 miliardë dollarë... Dhe pastaj kthehet në vendin e tij dhe thotë se i duhen edhe 60 miliardë dollarë të tjerë”- thekson Trump.

Ndërkohë Jugu Global dëshiron të vazhdojë të importojë grurë ukrainas dhe naftë të lirë ruse. Ekonomia e Indisë, është stimuluar jo pak nga një rritje e madhe e importeve të naftës së papërpunuar ruse, pjesa më e madhe e së cilës ri-eksportohet në Evropë si benzinë ​​e rafinuar. Turqia importon gazin rus dhe e rieksporton atë në Evropën Jugore duke marrë produkte bujqësore.

Emiratet e Bashkuara Arabe, janë shndërrua në një qendër për bankat ruse, që arrijnë t’i kundërvihen sanksioneve. Kina e ka dyfishuar tregtinë e saj me Rusinë, duke e çuar në më shumë se 200 miliardë dollarë në vit. Pekini po përfiton nga një Rusi e dobët, ndaj ka pak nxitje për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë.

Putin kërkoi kohët e fundit që Ukraina të lëshojë edhe më shumë territor për të ndaluar pushtimin e mëtejshëm. Propozimi i tij është delirant. Por plani i Zelenskyt për të nxitur arritjen e një fitore totale nuk është shumë më realist. Së fundmi, ai i tha një udhëheqësi evropian se synon ta vazhdojë luftën, derisa Rusia të tërhiqet nga i gjithë territori i Ukrainës, të paguajë dëmshpërblimet dhe të dënohet për krime lufte.

“Në rast se nuk e arrijmë përparim këtë vit, do të provojmë sërish vitin e ardhshëm, dhe atë pas tij”- thuhet t’i ketë thënë Zelensky. Këmbëngulja e presidentit ukrainas për të luftuar deri në fitore është ideologjikisht koherente. Agresioni i Putinit duhet të dështojë; sepse rendi ndërkombëtar i bazuar në rregulla, mbështetet në ruajtjen e kufijve ndërkombëtarë.

Por në praktikë, Ukraina do të përballet me një dimër të tmerrshëm. Shkatërrimi sistematik i infrastrukturës së saj energjetike nga Rusia, ka mbyllur aktualisht më shumë se gjysmën e termocentraleve të saj. Berlini pret deri në 1 milion refugjatë ukrainas. Ndërkohë Ukrainës po i mbaron fuqia punëtore.

Ajo është duke u mbështetur tek disa njësi speciale që gjejnë dhe kapin burrat që refuzojnë rekrutimin. Kjo nuk do të thotë se vetë Rusia nuk po dëmtohet. Me raketat e reja perëndimore me rreze të mesme veprimi, Kievi e ka shndërruar gadishullin e Krimesë në një zonë vrastare për avionët dhe anijet luftarake ruse.

Një sulm i fundit rus në provincën Kharkiv, u zmbraps me humbje të mëdha jetësh në radhët e rusëve. Lufta po konsumon 40 për qind të buxhetit të Kremlinit. Por Rusia ka një popullsi 4 herë më të madhe se ajo e Ukrainës, dhe një ekonomi lufte rreth 20 herë më të madhe. Ngurrimi i Perëndimit për të reduktuar eksportet e energjisë, i ka dhënë mundësi Rusinë të injorojë sanksionet.

PBB-ja e Rusisë pritet të rritet këtë vit më shumë se çdo vend i G7-ës. Jeta në Moskë është thuajse normale, për shkak të importeve paralele nëpërmjet vendeve fqinje. Vetëm 0.4 për qind e burrave moskovitë të moshës ushtarake kanë shërbyer në front, krahasuar me rreth 9 për qind në rajone të varfra si Tuva dhe Buryatia.

Putin po lufton në Ukrainë me një ushtri trupash provinciale dhe koloniale, plus mercenarë ndërkombëtarë, të burgosur dhe të pastrehë, të cilët ai i konsideron si mish për top. Megjithatë, retorika e ripërtërirë e Putin për negociatat e paqes, është një shenjë se ai do të ishte i kënaqur t’i japë fund luftës sa më shpejt.

Pse jo edhe përpara zgjedhjeve presidenciale në SHBA. Për shumë diplomatë ndërkombëtarë, rruga drejt një armëpushimi është e qartë. “Është shumë e qartë se si do të përfundojë kjo luftë”- thotë një ish-shtetar i lartë perëndimor që shkon shpesh në Kiev. Armëpushimi përgjatë vijës aktuale të frontit, plus garancitë e sigurisë për Kievin, pa anëtarësimin e plotë në NATO.

Asnjë lëshim zyrtar i territorit. Ukraina do të bëhet si Qipro:një anëtare e BE-së, që nuk e njeh ndarjen e saj. Bota duket se po angazhohet në krijimin e terrenit për negociatat. Kancelari gjerman Olaf Scholz, parashikoi kohët e fundit se lufta do të përfundojë në ”samitin e ardhshëm të paqes”, dhe në të duhet të ftohet edhe Rusia.

Presidenti i Finlandës, Alexander Stubb, shtoi: ”Kina mund ta ndalë me një telefonatë pushtimin rus të Ukrainës”. Samiti i Zelenskyt tregoi se po zbehet mbështetja ndërkombëtare për një luftë të përjetshme, dhe po vjen koha e kompromiseve, sado të shëmtuara qofshin ato./Përshtati Pamfleti nga “The Spectator”

volodymyr zelensky aleatët humbin besimin

Lini një Përgjigje